Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) thotë se ka përfunduar të gjitha përgatitjet në lidhje me organizimin e procesit të nesërm zgjedhor në Drenas. Procesi do të vëzhgohet nga më shumë se 1000 vëzhgues të akredituar.
Më datë 25 nëntor, KQZ-ja ka certifikuar Listën Përfundimtare të Votuesve (LPV), e cila përmban: 52 mijë e 569 emra të votuesve, me një rritje prej 2 mijë e 338 votues apo 4.45% në krahasim me zgjedhjet e fundit për të njëjtën komunë.
Ky numër votuesish është i shpërndarë në 28 Qendra Votimit me gjithsejtë 72 Vendvotime. Në këto zgjedhje, janë 4 Qendra Votimi më shumë se në Zgjedhjet 2014.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar 853 vëzhgues para mbajtjes së Raundit të Parë (04 dhjetor) dhe 215 vëzhgues të tjerë gjatë afatit para mbajtjes Raundit të Dytë. Pra, janë më shumë se 1 mijë vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja për t’i vëzhguar këto zgjedhje.
Vendvotimet do të hapen në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Në raundin e dytë, për kreun e Komunës së Drenasit garojnë Ramiz Lladrovci i PDK-së dhe Isa Xhemajlaj i Nismës për Kosovën.