Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të publikojë së shpejti dosjen e paaudituar të informimit publik për zgjedhjet e 14 shkurtit, raporton Ekonomia Online.
Përmes kësaj dosje do të mësohen donatorët e secilit subjekt politik, për shumat kumulative më shumë se 100 euro dhe raportet e publikimit financiar të fushatës së subjekteve politike të dorëzuara te KQZ-ja.
Po ashtu, KQZ-ja do të publikojë edhe raportet e publikimit financiar të kandidatëve që janë zgjedhur deputet të Kuvendit të Kosovës.
Ky publikim nga KQZ-ja do të shoqërohet me tekstin shpjegues raportet financiare të fushatës janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit.
Kjo u bë e ditur në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ku u prezantua edhe një raport lidhur me ecurinë e përgatitjes së zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.
Sipas KQZ-së, përgatitjet e zgjedhjeve janë duke u zhvilluar sipas planifikimeve me planin operacional të miratuar në fillim të këtij procesi.
Alim Rama nga Këshilli për Operacione Zgjedhore ka prezantuar disa rekomandime që presin të aprovohen me qëllim të nisjes së procesit të prokurimit.
Ai mes disa pikave që ka paraqitur ka theksuar se kësaj radhe pritet që të kemi formularë më të thjeshtë me qëllim lehtësimin e votimit.
“Këshilli ka trajtuar të gjithë formularët për procesin zgjedhor. Qëllimi i formularëve është që ato të jenë sa më të thjeshta, të evitohen problemet që janë hasë në zgjedhjet e kaluara”, është shprehur ai.
Ndërsa Arianit Elshani ka thënë se barrën për specifikat teknike nuk duhet ta marrë KQZ-ja.
“Sa i përket formave zgjedhore dhe pikave të votimit jam pro që të votohen nga ne por jo çështjet tjera teknike, me ato të merret Këshilli për operacione zgjedhore”, ka thënë ai.
Kurse Florian Dushi nga LDK-ja ka thënë se kjo ka qenë praktikë edhe e mëhershme.
“Edhe pse janë çështje teknike ne jemi ata që vendosim për formularë, vula e kabina. Kurse procedurat e prokurimit nuk janë tonat”.
Anëtari tjetër nga LVV, Sami Kurteshi ka konsideruar se KQZ-ja është organ që duhet t’u jap leje për të filluar punën për realizimin e rekomandimeve të Këshillit.
“Si organ e kemi obligim me marrë vendim në aspektin parimor që këta të veprojnë sipas lejes që ju kemi dhënë, me shtyp format zgjedhore, me mundësuar personave të verbër me votuar e kështu me radhë. Unë jam për më i votuar nëse doni veçmas nëse doni bashkë që të ecim para”, ka thënë ai.
Alim Rama poashtu ka treguar se disa nga pikat tjera që Këshilli paraqet para KQZ-së dhe i rekomandon për aprovim janë edhe : b)Krijimi i mundësive që votuesit e verbër dhe me të pamë të dobësuar të votojnë personalisht, c) Për furnizim me vula dhe jastëk te vulave, d) Për furnizim me kabina votimi, e) Për furnizim me (bllomba) lidhëse te sigurisë për kutitë e votimit, f)Për furnizim me material administrativ për pakot e vendvotimeve.
Kurse Kurteshi ka thënë se gëzohet që është menduar votimi edhe për personat e verbër pasiqë shpesh edhe pa dashje mund të diskriminohen.