Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka njoftuar se do të mbajë 5 konferenca për medie për të dhënë detaje për procesin zgjedhor për zgjedhjet në veri.
Në orarin e përcjell nga KQZ-ja, konferenca e parë do të mbahet në orën 08:00 për të njoftuar për hapjen e qendrave të votimeve, raporton EkonomiaOnline.
Në ora 11:30, KQZ-ja do të njoftojë për numrin e votuesve deri në këtë kohë.
Edhe në orën 15:30 konferenca për medie ka për qëllim që të njoftojë për numrin e votuesve dhe zhvillimet e tjera.
Kurse në orën 19:30 KQZ do të njoftojë për pjesëmarrjen në votime deri në mbylljen e vend votimeve.
Për konferencën e pestë kur do të bëhen publike rezultate preliminare, thuhet se mediet do të njoftohen me kohe.
Të drejtë vote kanë 57 mijë e 983 emra të votuesve, apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.
Në Leposaviq kanë të drejtë vote 18 mijë e 164 votues; 18 qendra të votimit; 31 vendvotime; në Zubin Potok: 8 mijë e 535 votues; 12 qendra të votimit; 16 vendvotime; në Zveçan: 9 mijë e 229 votues; 7 qendra të votimit; 13 vendvotime dhe në Mitrovicë e veriut: 22 mijë e 055 votues; 7 qendra të votimit; 27 vendvotime.
KQZ-ja ka angazhuar 670 komisionerë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, raporton EO.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet për katër komunat veriore të Kosovës pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.