Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet të pres edhe 24 orë për të zbatuar vendimin e Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), raporton Ekonomia Online.
Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ, tha se në bazë të këtij vendimi palët kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Supreme në afat prej 24 orësh.
Prandaj sipas tij, ky institucion është i obliguar që të veprojë në përputhje me këtë vendim për të marrë më pas vendimet e mëtutjeshme.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesat e paraqitura në këtë institucion në rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja më 7 nëntor”.
“Këtu kam parasysh dy vendimet që kanë të bëjnë me përjashtim nga rezultati të një pjesë të fletëvotimeve dhe për rinumërimin e 1 472 vendvotimeve”.
“Në këto vendime ka këshillë juridike që lejon ankesën kundër këtyre vendimeve në Gjykatën Supreme. Prandaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i obliguar të respektojë këtë afat ligjor para se të procedojë më tutje”.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë ashtu siç ka bërë deri më tani, pra në përputhje me vendimet që e obligojnë KQZ-në”.
PZAP-ja ka marrë vendim që pas 52 ankesave që janë bërë, të ketë rinumërim të 1472 vendvotimeve.
Po ashtu PZAP, ka marrë vendim në favor të ankesës së koalicionit Nisma-AKR-PD lidhur me votat e Serbisë.
“Lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranoj të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në, që të largoj nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Javën e kaluar KQZ bëri shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, ndërkaq Nisma kundërshtoi këto rezultate duke akuzuar KQZ-së se i ka fabrikuar.