Kosova ka shënuar ditën globale të zgjedhjeve. Anëtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), partitë politike dhe partnerë të KQZ-së, ishin pjesë e kësaj ngjarje, e cila shënohet që nga viti 2013.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se me shënimin e kësaj dite Kosova po bëhet pjesë e botës të cilët shënojnë këtë ngjarje.
Ajo gjithashtu ka cilësuar se mbajtja e zgjedhjeve të lira është proces i angazhimit institucional.
“Organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve është një nga proceset më të mëdha dhe gjithëpërfshirëse në vend dhe Kosova tashmë e ka traditë në këtë drejtim. Zgjedhjet e lira dhe demokratike janë themeli i angazhimit tonë institucional, sepse qëllimi ynë është që zgjedhjet të gëzojnë besimin dhe aktorëve tjerë të procesit zgjedhor”, ka thënë Daka.
Daka ka cekur se viti 2017 është një vit zgjedhor.
“Pas përmbylljes me sukses të vitit të kaluar, ne kemi hyrë në një vit zgjedhor. Në kalendarin e Komisionit qendror të zgjedhjeve për vitin 2017 kemi zgjedhje lokale, për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale. Do të angazhohemi maksimalisht për të kryer me sukses detyrat tona, në mënyrë që qytetarët me të drejtë vote të mund të realizojnë të drejtën e tyre”, ka shtuar kryetarja e komisionit zgjedhor.
KQZ-ja këtë vit është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare dukë përfshirë edhe atë të auditimit.