Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në Komunat në veri të vendit, raporton Ekonomia Online.
Lista Serbe ka fituar shumicën absolute të votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së.
Goran Rakiq në Mitrovicën e Veriut me 7484 vota ose 90.4%; Srdjan Vuloviq në Zubon Potok me 4075 vota ose 94.6%; Zoran Todiq në Leposaviq me 7296 vota ose 96.7% dhe Vuqina Jankoviq në Zveçan me 3847 vota ose 94.8%.
Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, ka njoftuar që të gjithë ata që kanë vërejtje mund të ankohen në afat prej 24 orëve.
“I njoftoj të gjithë ata që kanë vërejtje se nga ky moment rrjedh afati për ankesa dhe parashtresa për 24 orë. Të gjithë të pakënaqurit kanë të drejtë të ankohen”.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, që u zhvilluan të dielën, votën e tyre e kanë hedhur 24 595 votues ose 42.42 % e qytetarëve, raporton EO.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet për katër komunat veriore të Kosovës pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.