Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për rinumërimin e 43 vendvotimeve të Zgjedhjeve Lokale 2021, të cilat u takojnë komunave të ndryshme, raporton Ekonomia Online.
8 vendvotime u takojnë Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, ndërsa 35 vendvotime të tjera u takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale.
Shefi i Sekretariatit të KQZ, Burim Ahmetaj tha se të gjitha vendvotimet që kanë këto mospërputhje duhet të rinumërohen.
Tutje ai tha se ky proces është në vazhdim dhe se të martën do të paraqesin raportin, duke shtuar se kanë 12 mijë vota me kusht.
“Është duke vazhduar punë në qendrën e numrit dhe ka filluar procesi i numrit jashtë vendit. Gjatë numrit të votave jashtë vendit janë mbi 9 000 fletëvotime të vlefshme që ka përfunduar me 24 tetor. Aktualisht jemi në disa vendvotime për disa komuna”.
“Procesi i pumës në QNR është duke vazhduar. Duhet të identifikohen te gjithë votuesit që kane votuar me kusht. QNR gjatë procedimit të materiale për kryetar komune një numër të vendvotimeve nuk kanë mundur të procedohen si të rregullta. Të dhënat në formular të rezultateve nuk kanë ndonjë kuptim. Të gjitha vendvotimet që kanë këto mospërputhje rekomandohet që KQZ për kryetar të komunave të cilat edhe pas hetimit janë të pashpjegueshme duhet të rinumërohen për formular të kandidatëve për kryetar komune. Ky proces është në vazhdim dhe nesër do ta kemi raportin dhe do ta prezantojmë në KQZ me të gjeturat nga raporti. 12 mijë vota i kemi me kusht”.
Anëtari i KQZ nga PDK-ja Arianit Elshani tha se është mirë që sa më shpejt të vije raporti i hetimit të se a do të ketë rinumërim të plotë.
“Unë po e shoh këtë raport për kryetar komune dhe ka ardhur si rrjedhojë e atyre që janë proceduar nga vendvotime. A do të kemi rinumërim për çdo subjekt, është mirë sa më shpejt të vie raporti i hetimit të 10%. A do të kemi rinumërime të plotë”.
Florian Dushi nga LDK-ja po i sheh me shqetësim vonesat sa i përket shpalljes së rezultateve përfundimtare për kandidat për kryetar të komunave.
“Ne kishim mundësi me pa zhvillimin e procesit të numërimit nga diaspora dhe përgëzoj për organizimin e punës. Shqetësim është se në cilën fazë jemi dhe kur mund të kemi shpalljen e rezultateve përfundimtare për kryetar komune dhe kandidatëve për asamble. Përveç rinumërimeve kemi votat me kusht dhe personave me nevoja të veçanta. A ka filluar verifikimi i tyre”.
Sami Kurteshi nga VV-ja tha se ka mospërputhje të votave në Prishtinë, raporton EO.
“Unë kërkoj me na e sqaruar numër 25 Prishtina që është me numrin më të madh të mospërputhjeve. Dallimi është i madh dhe me na sqaruar më në detaje këtë shembull”.
Javën e kaluar KQZ kishte rinumëruar 8 vendvotime për Kryetarë të Komunave dhe 15 të tjera për Kuvende Komunale.
Vendimi i fundit i KQZ-së, për rinumërimin e 40 vendvotimeve, u mor pas rekomandimit nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve se pas procesit të hetimit të formularëve të rezultateve, të njëjtit nuk kishin mundur të regjistrohen si të rregullt.
Sipas KQZ-së, ka mospërputhje të të dhënave në formularët e rezultateve, ngatërrim të kategorive të fletëvotimeve, si dhe ka mospërputhje të votave të subjekteve me votat e kandidatëve.
Rinumërimi i këtyre vendvotimeve pritet të fillojë të hënën pasdite, në orën 17:00, raporton EO.
Pas rinumërimit të këtyre vendvotimeve pritet të fillojë numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.