KQZ-ja zyrtarisht u drejtohet gjashtë institucioneve për verifikimin e kandidatëve, përfshirë edhe AKI-në

Prishtinë | 18 Jan 2021 | 11:05 | Nga Aulona Sylaj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) zyrtarisht u është drejtuar gjashtë institucioneve për verifikimin e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e parakohshme, raporton Ekonomia Online.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se cilave institucione do t’u drejtohen Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ministrisë së Punëve të Brendshme, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ministrisë së Jashtme dhe ministrisë së Mbrojtjes për të bërë verifikimin e kandidatëve nëse janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Ai ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga këto institucione që në afatin më të shkurtër të mundshëm, por jo më vonë se më 20 janar në orën 12:00, tu përgjigjen në kërkesat për verifikim.

“Janë dërguar në 6 institucione shkresa të veçanta për të kërkuar konfirmimin e përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtyre shkresave, i janë bashkangjitur edhe lista e kandidatëve për deputetë që janë dorëzuar në KQZ. Neni 29, që flet për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatit, tregon se kush nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet”.

“Germa ‘e’ në nenin 29 thekson se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është e) pjesëtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët nuk janë pjesëtar të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, kemi kërkuar nga ky institucion të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë pjesëtar të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”.

“Germa ‘c’ në nenin 29 thekson se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: c) pjesëtar i Policisë së Kosovës. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët nuk janë pjesëtar të Policisë së Kosovës kemi kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë pjestarë të Policisë së Kosovës”.

“Germat ‘b’ dhe ‘k’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: b) pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës; dhe k) pjesëtar i forcave të armatosura të ndonjë shteti. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët përmbushin edhe këtë kriter, kemi kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë pjesëtarë të forcave të armatosura të Kosovës”.

“Germa ‘g’ në nenin 29 thekson se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: g) përfaqësues diplomatik. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët nuk janë përfaqësues diplomatik, kemi kërkuar nga Ministria e Jashtme të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë përfaqësues diplomatik”.

“Germat ‘a’, ‘p’ dhe ‘q’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: a) gjykatës apo prokuror në Kosovë ose gjetkë; p) me aën të vendimit të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe q) i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit. Prandaj, kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë gjykatës; nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës me të cilin i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe nëse janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit”.

“Germat ‘o’, ‘r’, dhe ‘s’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person të cilit o) me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it i është hequr e drejta për të qenë kandidat; r) ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i; dhe s) ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhëri të PZAP-it. Prandaj, kemi kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë subjekt i vendimit të PZAP-it për t’iu hequr e drejta për të qenë kandidat; nëse kanë dështuar të paguajnë gjobën e vënë nga PZAP-i; dhe nëse kanë dështuar t’i përmbahen ndonjë urdhrit të PZAP-it”.

“Në frymën e obligimeve kushtetuese dhe ligjore për bashkëpunim ndërinstitucional ne kemi kërkuar nga këto institucione që në afatin më të shkurtër të mundshëm, por jo më vonë se më 20 janar 2021, në orën 12:00, të na përgjigjen në kërkesat tona për verifikim”.

Të ngjashme