KQZ nis përgatitjet për balotazh, së shpejti rezultatet për kryetar komunash

Prishtinë | 24 Tet 2017 | 14:06 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se shumë shpejt do të dalin rezultatet për kryetar të komunave, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka thënë se do të nisë numërimi i votave me kusht, me postë dhe numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta.

“Ju njoftojmë se në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është pranuar materiali i ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha komunat dhe së shpejti do të fillojmë me numërimin e Votave me Kusht, Votave përmes Postës dhe Votave të Personave me Nevoja të Veçanta, për të proceduar tutje me shpalljen e këtyre rezultateve”.

“Prioritet i ynë është fillimisht shpallja në kohë e Rezultateve Përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, në mënyrë që të jemi në hap me kohën për të arritur të përgatisim raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve”.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë së shpejti me publikimin e të gjitha kopjeve të skanimit të Formularëve të Rezultateve për Kandidatët dhe Formularëve të Rezultateve Përfundimtare. Pra, të gjithë kandidatët, qofshin në garë për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale do të mund të shohin rezultatet e tyre për secilin Vendvotim duke shfletuar në mënyrë elektronike kopjet e këtyre formularëve të cilët kanë ardhur nga Vendvotimet”.

Daka, ka thënë se nga nesër do të fillojnë përgatitjet intensive për raundin tjetër të zgjedhjeve.

“Angazhimi ynë i përbashkët për Ditën e Zgjedhjeve na bën optimistë edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komune që do të mbahet më 19 nëntor. Duke filluar nga nesër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të filloi me përgatitijet intensive për organizimin e këtij raundi të dytë të zgjedhjeve”.

“Tashmë e dimë se në shumicën e komunave të Kosovës do të kemi raundin e dytë dhe për këtë neve na duhet sërish angazhimi i përbashkët dhe mbështetja e të gjithëve”.

Të ngjashme