Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është shprehur i kënaqur me mbarëvajtjen e procesit të votimit për balotazh në 19 komuna të vendit.
Sipas kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, nuk ka pasur ndonjë parregullsi e cila do ta dëmtonte procesin e zgjedhjeve. Ndërkohë pjesëmarrja është më e ultë sesa në raundin e parë – 38.10 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, raporton Ekonomia Online.
“Dalja e votuesve në zgjedhje është 516 mijë e 573 votues apo 38.10 për qind e votuesve. Krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve më 22 tetor në këto komuna deri në të njëjtën kohë kanë votuar 594 mijë e 339 votues, apo 43. 70 për qind e votuesve”, tha Daka, në konferencën e fundit për ditë zgjedhore.
“Jemi jashtëzakonisht të kënaqur se procesi i votimit ka kaluar qetë dhe pa raportime për ndonjë parregullsi që do ta cenonte integritetin e këtyre zgjedhjeve”, shtoi ajo.
Daka falënderoi vëzhguesit, policinë dhe prokurorinë e shtetit, si dhe mediet për mbulimin gjithëditor të procesit zgjedhor.
Nga ora 19:00 ka filluar afati për ankesa dhe parashtresa.