Kraja dhe “shumica e tij” vs “pakica islamike”

Prishtinë | 16 Kor 2016 | 14:29 | Nga

Shkrimi i Mehmet Krajës “Letër e hapur myslimanëve të Facebook-ut” është i cytur nga intenca e frikës se Kosova po ndryshon kahun, por jo secili ndryshim mund të jetë i frikshëm, sepse vetëm konservimi i kinse vlerave të paqortueshme e të padiskutueshme është më i rrezikshëm se sa ndryshimi. Frika është këshilltar i keq dhe ajo rëndom shpie në dhunë. Pra frika nuk ka legjitimitet sepse është e sferës emotive, pra joracionale.

Mehmet Kraja dhe secili ka të drejtë ta thotë mendimin e vet hapur për secilën çështje, ndërsa sharjet dhe fyerjet ndaj tij flasin për ata që i shprehin: Për injorancën dhe mujshinë egërshane të tyre.
Debati për fenë (islamin tek shqiptarët) as që ka nisur ndonjëherë, me gjithë përpjekjet e herëpashershme të ndonjë autori, sepse debati nuk është hapur nëse tjetrin e kundrojmë si armik, ose idenë e tij si armiqësore dhe që duhet të përjashtohet.
Debati i mirëfilltë duhet të sjellë pajtim dhe jo thellim të kundërthënieve.

Pajtim rreth asaj se të gjitha vlerat janë të diskutueshme (Darendorf) prandaj për debate të tilla na duhet ai “Shpirti i madh” aristotelian dhe kënaqësia që sjell argumentimi, e vërteta…
Ushtrimi i lirë dhe i drejtë i arsyes nga individi ishte temë e epokës së Iluminizmit, dhe i qasjeve të Imanuel Kantit për problemet e ndryshme të filozofisë.
Ai në idetë e tij e zhvendos filozofinë përtej debatit mes racionalistëve dhe empiristëve.
Kanti ngulmon në idenë se debati duhet të sjellë pajtimin e jo divergjencën.

Por pse shqetësimi i Krajës është i ligjshëm, ndonëse i vonuar?
Përdorimi i fesë islame për mësymjen e dominimit të shoqërisë është thjesht fashizëm, sepse sipas Raymond Aronit ata që flasin për zotërimin e historisë janë thjesht ëndërrimtarë.
“Disa prej tyre ëndërrojnë që të zhdukin fare ndërhyrjen e rastësisë, të njerëzve të mëdhenj ose të përputhjes së ngjarjeve. Të tjerë ëndërrojnë ta rindërtojnë shoqërinë në bazë të një plani të përgjithshëm dhe të shmangin trashëgiminë e traditave të papërligjura. (Raymond Aron; “Opiumi i intelektualëve”, Dituria, 2005; fq. 230)

Porse, Kraja ka të drejtë të ketë mospajtimet e veta, bindjet dhe besimet e veta (ndonëse rëndom të pambështetura në fakte historike dhe në dije të verifikuara) ai e ka mirë kur shënjestron prijësit fetarë ekstraktivë (përfitues), të cilët vërtet ta “prishin fenë e Profetit” por edhe shtetin laik dhe shoqërinë më shekullare në botë!?

Po ashtu Kraja e spikat me të drejtë flirtin e mësymësve të rinj me politikanë të korruptuar deri në asht (me pushtetet e kriminalizuara) që veten e konsiderojnë si bartës të një thirrjeje hyjnore, e që në fakt është vetëm një lëvizje politike e spektrit të fashizmit islamik, që fenë islame duan ta përdorin (abuzojnë) për qëllime politike (islamizimin e shtetit dhe shoqërisë) për ndonjë përfitim, që edhe ashtu u doli mashtrim (mësimi fetar në shkolla, shamia etj.)

Këtu pajtohem plotësisht me Krajën.
Është fakt se një pjesë e klerit islam edhe në Kosovë po e përdor fenë islame për promovimin e politikave të dhunshme të dominimit (fashizmit) dhe ideologjisë panislame e ndonjëherë edhe ato arabe (Kalifati islamik…) e turke (rikthimi strategjik në Ballkan, tezë e Davutogllu-së.)

Porse në momentin kur Kraja si intelektual u bashkohet turmave dhe thotë “Ne” …përjetë ose për së gjalli nuk do të lejojmë këtë ose atë, ai me këtë rrëshqet në popullizëm klasik politik, sepse u bashkohet parullave që i prodhon “truri-muskul”.
“Njeriu i kulturës e ndien veten të detyruar të zgjedhë midis prostitucionit dhe vetmisë”, (Aron 2005:332.)
Intelektuali është rëndom vetmitar, i pakënaqur me lirinë, shtetin, shoqërinë dhe vlerat që ka përqafuar, por i lumtur me dijen që shpie tek e vërteta dhe argumentimi i saj.

Intelektuali nuk bën “Ne” me askënd.
Ai nuk përgatit të vërtetat përfundimtare dhe as nuk u bëhet zëdhënës (ato u përkasin teokratëve ose diktatorëve) dhe nuk mendon kolektivisht – ngjashëm me Krajën dhe “:shumicën” e tij profetike, pra fantome!?

Ai shumicën “ e tij” shekullare e nxjerr me profeci, së këndejmi pa asnjë referencë empirike ose së paku ndonjë anketë.
Raporti pakica – shumica së këndejmi është joproduktiv në konstelacionet e një shoqërie moderne, pra edhe në fe.
Nga numrat e vegjël rëndom kihet frikë – se mund të na sulmojnë papandehur – ngase i kemi keqtrajtuar!???
Autori Kraja harron se iu drejtua fillimisht vetëm myslimanëve të FB, miqve të tij, ai tash po u flet të gjithëve, madje edhe kategorive për të cilat nuk e ka asnjë ide;

Kraja si intelektual duhet ta dijë se nuk ka një islam tradicional, por ka vetëm një islam, ka megjithatë interpretim tradicional dhe aplikim tradicional të islamit, që ndër shqiptarët është i njohur si islam simbolik (Shih Ibrahim Rugova: “Çështja e Kosovës – biseda me Marie-Franqoise Allain & Xavier Gamiche” Dukagjini, Pejë, 1995; fq.181: “Te ne religjioni është më pak i rëndësishëm se gjuha (…)

Ne jemi myslimanë simbolikë. Dhe tolerantë. Gjithmonë e kemi pasur këtë tolerancë të gjerë, pas vdekjes së Skënderbeut: Respektin e lidhjeve të shenjta, ndjenjën religjioze që çdo tempull, çdo kishë katolike, çdo xhami, çdo kishë ortodokse është e shenjtë. Në familjen time për shembull thuhej se “këto janë gjëra të shenjta dhe duhet të respektohen”. Andaj në saje të kësaj tolerance ne kemi mbijetuar deri tani.”)

Secila fe, rritja apo rënia e pasuesve të saj, duhet kundruar në kontekst të një epoke dhe të një shoqërie të caktuar dhe të raporteve (konstelacioneve) të saj me pjesën tjetër të botës e jo e shkëputur nga jeta reale dhe e zhvendosur – si interpretimi i islamit – këtu e 1400 vjet ma përpara; Sepse dijet islame sot pranojnë arritjet shkencore: Transplantimin e organeve vitale të trupit të njeriut, numërimin astrologjik të muajit hënor, shkuarjen në kozmos, gjenomin njerëzor (ADN) porse, sigurisht edhe stërkeqjen e informacioneve gjenetike, pra komplikimet e mundshme të martesave brenda pjesëtarëve të një gjaku, që disa klerikë kosovarë mendjeuthull po i justifikojnë;

Akademiku kosovar e nis shkrimin e tij si thirrje për debat me myslimanët e Facebook-ut por ai “flet” me të gjithë myslimanët kosovarë si “armiq” të kombit shqiptar, porse Kraja nuk ka qasje moderniste as për kombin (ai nuk e kupton këtë nocion si konstrukt shoqëror që mund të dalë nga historia!?) por ka qasje arkaike dhe ideja e tij për kombin është albanocentriste e kamufluar nën petkun komunist (definicioni i Stalinit), pra nocionin e kombit Kraja e sheh se nacionalistët: “Kombi si prononcim politik”.

Qasja e tij në letrën e famshme është mediokre, sepse mësyn mbrojtjen e kauzës së një shumice pa sjellë ndonjë argument me peshë, së këndejmi qasja e tij ndaj “myslimanëve…” është albanocentriste (qasje e epokës së Rilindjes) e kamufluar me petkun komunist (definicioni marksist për fenë dhe stalinist për kombin) dhe tradicionale-kristiane: Që u përshkruhet qytetërimeve më të ulëta (barbarëve aziatikë. Sic!?) të Lindjes;
Islami në këtë mendësi rëndom barazohet me terrorizmin global.
Po ashtu Kraja pikëtakohet me qasje raciste kur flet për tetovarizimin (provincializmin) e Prishtinës, “me identitet të nallash e dimish.”

Sepse, Kraja dhe “kampi i tij” (jam dëshmitar okular!) respektojnë Bajramin në suaza të njatij “islamit simbolik” dhe posaçërisht synetinë e fëmijëve, ndonëse nuk janë praktikues të islamit strikt dhe burimor.

Dhe Kraja i ka zët referencat në secilën temë që prek, sepse ai pretendon se i ka të vërtetat e gatshme dhe përfundimtare!
Ai thirret në “kundërshtimin tonë, sot e për tërë jetën”, ndaj mundësisë së një shteti islamik në Kosovë, gjë që po të më pyesë ndokush do t’i bashkëngjitesha këtij tabori, por Kraja nuk ka të dhëna se kush janë ata, sa janë dhe ku e mbështesin e kush po i mbështet në këtë ide!?

Prandaj kjo mbetet vetëm pandehmë, pra nuk është e debatueshme.
Në anën tjetër, Kraja nuk u referohet fare të drejtave të njeriut, lirisë fetare dhe asaj të shprehjes dhe nuk reflekton se si t’i thotë diçka të re publikut, p.sh. ta nisë debatin se si mund “të pajtohen” normat kuranore me larine/liritë dhe demokracinë, si të bashkëjetojë shteti laik/shoqëria shekullare me fenë islame brenda vetes;

Si të dallohet e të veçohet predikimi i islamit (edhe e një pjese të kosovarëve) nga kultura arabe dhe ideologjia panislame, por edhe nga mësymjet strategjike neootomane!?
Si të bashkëjetojnë shqiptarët e besimit islam të lumtur në Republikën laike kosovare dhe në shoqërinë shekullare kosovare, duke i dhënë asaj besnikëri dhe lojalitet, së bashku me kristianët shqiptarë dhe joshqiptarë?

Pra turmës, duhet shpjeguar Kuranin deri aty sa nuk afektohen jetët në rrafshin social e politik; Sepse demokracia perëndimore dhe shteti modern rregullimit të shoqërisë dhe vendosjes së drejtësisë i kanë dhënë zgjidhje shumë më të avancuara se sa islami.

Një mysliman evropianë nuk do të pikëtakohet asnjëherë në histori me kushtet mesjetare të jetesës, prandaj besohet se nuk do t’i paraqitet nevoja për ta pajtuar sjelljen e tij me sjelljen e Profetit Muhamed Zulmëmadh dhe hiç se hiç me ‘Sheriatin.’
Shumë nga ato rregulla nuk mund të aplikohen në kushtet e modernitetit, fundja janë primitive.

Prandaj klerikët kosovarë “duhet të trajnohen” që t’i mësojnë ‘xhematit’ për pesë kushtet e islamit dhe lutjet themeltare ndaj Zotit, duke shmangur pasazhet e dhunshme dhe anakronike kuranore që janë për t’u vajtuar.
Pyetjet teologjike e skolastike, dilemat dhe interpretimet le t’u mbesin studiuesve!?

Interpretimit maskulinist të Kuranit, përkatësisht interpretimit fashist, me tendencë të riaktulizimit të postulateve e ‘rregullave’ që kanë vlejtur para 1400 vjetëve, në një shoqëri feudale u ka ikur qëmoti koha, sidomos që nga epoka e Iluminizmit.
Klerikët kosovarë duhet ta shmangin dhunën e hapur që shprehet në disa nga suret kuranore si dhe trajtimin e pabarabartë të femrës në fenë e Profetit, Muhamedit Zulmëmadh. sepse konteksti kosovar përkon me ideale krejtësisht të tjera.
Këta klerikë ekstraktivë, e dinë se sipas Islamit, në gjyq dëshmia e një burri vlen sa dy gra;

Burri zgjedh për gruan, kërkon në vend të saj; Një burrë mund ta marrë për grua edhe vajzën e axhës (me gjithë implikimet fatale te gjenetikës), lejohet poligamia – burri mund t’i ketë katër gra me kurorë – pra gruaja në islam është e krijuar thjesht për hir të burrit dhe e drejta e saj është e shterritorializuar, e zhvendosur në të drejtën burrërore etj.
Së këndejmi, duke mos qenë mendjehapur dhe racionalë, ata bien dyfish në dogmatizëm duke afektuar dhe helmuar solidarësinë qytetare, ndërfetare dhe nderetnike.
Po cila është qasja e Krajës ndaj islamit?
Qasje historiciste kristiane apo ateiste (prizmi jokomunist), qasje përjashtuese ose e moderuar, liberale?
Ku është thelbi i këtij debati?

Ashiqare, gabimi fatal në shtrimin e pyetjeve jep rëndom përfundime fatale.
Ngase Kraja “i pyet” myslimanët e FB (i nënkupton myslimanët që po abuzojnë me islamin për qëllime pragmatike politike të dominimit të shoqërisë dhe vendosjes së Sheriatit në vend të Kushtetutës moderne) pra fashistët islamikë se çfarë e kanë ndër mend të bëjnë me këtë Republikë?
Kush e ka këtë të drejtë t’i pyesë ata (një forcë imagjinare, e supozuar dhe e pamundshme, qëllimkeqe natyrisht) në një Republikë parlamentare nominalisht demokratike dhe që lirinë dhe pavarësinë e vet kombëtare e ka fituar jashtë kontekstit kolonial, si “vetëvendosje zhdëmtuese” me veprime unilaterale (ShBA dhe aleatët) dhe kundër konceptit Westphalian të shtetit!?
Askush.

Pra është pyetje absurde sikur pyetjet e disa OJQ-ve kosovare të tipit:
“I besoni Zotit apo Qeverisë?”
Sepse, “fuqia” të cilën e pyet Kraja nuk ekziston dhe Kraja nuk e di se cila është instanca që vendos nëse kjo pyetje ka legjitimitet ose jo për ta shtruar!?
Jo, kjo pyetje është absurde, sepse nuk ekziston as instanca e tillë, është shpërbërë!?
Kraja e interpreton fenë dhe kombin sipas modelit ‘tallava’ (me tepsi bakllave e pamje të tilla bizare…) e pra sipas modelit estradesk (turbofolk) dhe shkrimi i tij është estradesk, pra mediokritet;
Pyetja tjetër absurde për një intelektual, (anëtar akademie) është kjo: “Çfarë do të bëni me Kosovën? Ku do ta çoni atë, në Lindje apo në Perëndim”?
Duke i ndarë Perëndimin dhe Lindjen në mënyrë strikte dhe tipike për komunizmin – me perde të hekurt – ai nuk i kupton globalizimin dhe trendët globalizues, kur Dubai sipas mënyrës së shpenzimit të parasë dhe jetës së luksit ia kalon Perëndimit dhe kur shumë shtete të Lindjes me modelin e qeverisjes janë tipike perëndimore, (Izraeli) mbase Kraja harron se edhe Lindja ideologjike e politike mund të shndërrohet në Perëndim, pra të funksionojë sipas vlerave të përbashkëta evropiane!???

Pse jo?
Në fund, Kraja ballafaqohet me kundërthënien e tij epike rreth kosovacentrizmit dhe albanocentrizmit: “Por ne duhet të bashkëjetojmë me njëri-tjetrin, sepse ky është atdheu ynë i përbashkët, atdhe tjetër nuk kemi.”
Pra e uroj që më në fund po e pranon Kosovën si atdhe të tij të vetëm!

Ai po vjen tek kundrimi im (kemi polemizuar në disa raste për këtë temë dhe ai më është hidhëruar duke mos e vazhduar debatin, por më ka denoncuar me një letër kompanisë ku punoj) sepse unë nuk kam ndërruar teza, pra po më bën t’i buzëqesh koherencës sime!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme