Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, kryetari aktual i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, thotë se “me politikë nuk duhet të merret ai, ajo apo ata e ato që nuk e kanë vizionin e qartë për kombin e shtetin e vet…”.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Kushdo që nuk është i përgatitur për t’i mbrojtur dhe t’i mbrojtur fortë interesat e popullit e të shtetit të Kosovës, le të merret me bujqësi e blegtori a cilëndo punë tjetër se politika është e pa përballueshme për atë lloj të njerëzve, qofshin ata/ato gra apo burra”.
Postimi i plotë i Krasniqit:
“Kudo ku shkoni obligim e keni ta mbroni interesin nacional të vendit që përfaqësoni
Me politikë nuk duhet të merret ai, ajo apo ata e ato që nuk e kanë vizionin e qartë për kombin e shtetin e vet, që nuk e kanë se paku kornizën politike të programit nacional për kombin e shtetin e vet dhe të cilin interes nuk je i gatshëm që ta mbrosh para çdo njeriu a institucioni që bisedon, në institucionet e BE-së apo kudo tjetër!
Nëse një politikan apo politikane që më parat e publikut shkon në institucionet e BE-së apo në cilindo vend tjetër të Botës, mbi të gjitha duhet ta dinë pse ka shkuar atje dhe çka dëshiron të arrin e jo të ndikohet nga mendimet apo idetë e cilitdo zyrtarë që edhe mund t’i shfaq mendimet e tija sesi duhet zgjidhur çështja e Kosovës apo raportet Kosovë – Serbi! Çështje e cila në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar është zgjidhur në bisedimet e Vjenës dhe Dokumentin Përfundimtar të atyre bisedimeve. Prandaj më 17 shkurt 2008 është shpallur Pavarësia e Kosovës me marrëveshje të plot me vendet e demokracisë perëndimore, të cilat ishin mbikëqyrës dhe pjesë vendimmarrëse e bisedimeve deri në aktin e Pavarësisë dhe pas saj.
Sigurisht që bashkëbiseduesit parashtrojnë ide e mendime të ndryshme, por jo çdo gjë e gjithçka duhet pranuar apriori! Interesin e shtetit të Kosovës, të qytetarëve të Kosovës, duhet ta mbrojnë përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës. Çështjet e interesit politik nacional nuk mund të vendosën pa një konsensus të arritur nacional dhe pa autorizimin e institucionit më të lartë, që në rastin tonë është Kuvendi i Kosovës.
Kushdo që nuk është i përgatitur për t’i mbrojtur dhe t’i mbrojtur fortë interesat e popullit e të shtetit të Kosovës, le të merret me bujqësi e blegtori a cilëndo punë tjetër se politika është e pa përballueshme për atë lloj të njerëzve, qofshin ata/ato gra apo burra.
Nuk mund ta mbroj interesin politik të vendit të vet, ai apo ajo që është si bibani, i cili i përgjigjet çdo fishkëllimi … ! Apo kushdo tjetër që mbi krye mund të ketë një saç!
Formëmësimi i qëndrimeve politike përtej të cilave nuk mund të kalosh, është i domosdoshme në politikë. Përndryshe do t’i lesh pasoja të paparashikueshme kombit e vendit tendë!
Padija, pavendosmëria dhe lakmia për t’u dukur “kooperativë”, edhe me vuçiqet apo këdo tjetër të çon pashmangshëm në tradhti kombëtare! Dhe tradhtitë kombëtare nuk riparohen lehtë, ne shqiptarët së paku e dimë sesa e si e kemi paguar ketë në historinë tonë të re! Dhe kjo nuk duhet në asnjë mënyrë nuk guxon të përsëritet më”, ka shkruar Krasniqi.