Kosova këto ditë është tronditur nga lajmi se një punëtor i Thesarit të Kosovës me iniciale L.G. dyshohet se, përmes katër transaksioneve të ndryshme, ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove të buxhetit në llogari të një kompanie private, LDA Group Shpk, pronarët e së cilës janë përfolur se janë anëtarë të Nismas.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, e ka pranuar se personat e përfshirë në skandal janë anëtarë të Nismas, por që nuk kanë funksione në institucione të vendit.
“Zyrtari që ka qenë në atë ministri nuk është pjesë e strukturave të Nismas, por kandidatët e tjerë që janë përmendur janë anëtarë të Nismas, por që nuk kanë qenë pjesë të institucioneve dhe natyrisht që Nisma i ka marrë masat e veta në këtë drejtim. Për neve një veprim i tillë është i papranueshëm dhe se përgjegjësia kryesore është e Qeverisë dhe e institucioneve të shtetit që vërtetë nuk kanë marrë masa për të mbrojtur paratë e tatimpaguesve të Kosovës”, ka thënë ai.
Krasniqi ka konsideruar që shteti ka dështuar në mbrojtjen e të dhënave dhe ndaj mundësisë për sulme të tilla.
“Kjo duhet të themi se realisht këto sulme duan një mbrojtje dhe mbrojtja duhet të jetë profesionale. Konsideroj që institucionet e shtetit nuk i kanë marrë masat e duhura me profesionistë ta mbrojnë sulmin dhe konsideroj që njerëzit që vërtetë janë profesionistë të mirë është e udhës të vendosen në vendet e caktuara dhe ata duhet të jenë të stimuluar me paga mujore do të thotë Qeveria e ka përgjegjësinë që në institucionet e shtetit të merr nëpunës profesionistë dhe që e njohin mirë punën e tyre dhe që e kryejnë mirë detyrën e tyre”, ka thënë ai.
Në zgjedhjet e 6 tetorit e vitit të kaluar Nisma Socialdemokrate garoi në zgjedhje me AKR-në. Madje menzi e kaluan pragun zgjedhor. Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, Jakup Krasniqi, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, tha për Front Online, që kjo parti do të garojë e vetme.
“Unë mendoj që nuk është koha e koalicioneve, nuk duhet që të paragjykojë. Nisma është parti politike është edhe në Parlament. Ne të gjithë angazhimin tonë e bëjmë që ta forcojmë Nismën. Jemi edhe në zgjedhjet e brendshme të Nismës dhe vendimet e Qeverisë për shkak të pandemisë po na pengojnë që ta përmbyllim këtë proces ne jemi që kurdo që të ndodhin zgjedhjet të shkojmë si subjekt në vetë”, ka thënë Krasniqi.