Themeluesi i NISMA-së, Jakup Krasniqi, përmes një statusi në Facebook, ka reaguar ndaj akuzave të shumta të deputetit të NISMA-së Milaim Zeka, i cili i tha Krasniqit se një ditë do të flasë për veprimet e këtij të fundit.
Krasniqi tha se ai deri më sot anjëherë nuk është përballur me procese gjyqësore e as nuk është arrestuar ndonjëherë.
Krasniqi pati edhe një mesazh në fund për kolegët e tij.
Postimi i plotë i Krasniqit në Facebook:
Vetëm për interesimin e medieve:
HESHTJEN NUK IA BLEJ ASKUJT
Në jetën time politika nga viti 1973/4 jam përballur vetëm në vitet 1981/82, më akuzën: Bashkim për veprimtari armiqësore e kundërrevolucion. Prej atëherë e deri më sot me asnjë gjykatë nuk jam përballur e as arrestuar. Ndonëse, gjatë lufte e pas saj kam pasur detyra me përgjegjësi goxha të lartë.
Prej atëherë e krejt deri me sot jam përballur me shumë Shërbime Informative dhe argatët e tyre. Për këto kam folur para pak viteve. Disa edhe mund ta vazhdojnë edhe sot. Mbase ai është zanati i tyre i preferuar i mbijetesës! Unë nuk e kam ndërmend heshtjen t’ia blej askujt, për faktin se nuk e kam asnjë vepër që duhet ta heshti! Ndërsa, njerëzillëkun e vet i është dhënë rasti ta tregoi gjithsecili njeri, qoftë ai i politikës apo i medieve. Kush ka dashur e ka parë dhe e ka përcjellë sjelljen e veprimit e secilit nga ne, po e sheh edhe tani për çdo ditë të lume!
Është e shëndetshme që njerëzit shenjtërinë e tyre ungjillore e engjëllore ta tregojnë në Gjykatore, aty ku është vendi ku fitohet pafajësia ose fajësia! Shenjtërorja nuk arrihet me shantazhe e shpifje! As në boks nuk lejohet goditja nën brez. Edhe pse boksin nuk e kam dëshiruar ndonjëherë e as provuar!
Lum ai që arrin t’i ruaj dy gisht fytyrë në ketë kohë të përlyer!