Krasniqi në Reçak: Krim mizor kundër njerëzimit, Serbia kreu gjenocid dhe spastrim etnik

Prishtinë | 15 Jan 2024 | 11:49 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka bërë sot homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak, në ditën kur shënohet 25-vjetori i masakrës, raporton Ekonomia Online.

“Sot, bashkë me kolegë dhe bashkëpunëtorë nga PDK, bëmë homazhe tek Kompleksi Përkujtimor në Reçak, për të kujtuar 45 viktimat e kësaj masakre, e cila, edhe 25 vjet më pas, mbetet dhembja jonë e madhe. Një krim mizor dhe me paramendim kundër njerëzimit – i cili vulosi qëllimin politik të Serbisë dhe agjendën e saj për të kryer gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se “Gjithmonë, e posaçërisht sot, vlerësojmë lartë kontributin e Ambasadorit William Walker, i cili, çerek shekulli më parë, nga vendi i ngjarjes në Reçak, krimin e quajti me emrin e të tij të vërtetë”.

“Kosova nuk do të hesht asnjëherë për krimet ndaj popullatës civile shqiptare, gjatë luftës së viteve 1998/99, derisa drejtësia të vihet në vend për secilën viktimë të vendit tonë”, shtoi Krasniqi.

Ndërsa deputetja e kësaj partie, Ganimete Musliu, tha për Ekonomia Online se është e pakuptimtë dhe e papranueshme që sot të ketë më shumë të akuzuar shqiptarë se sa serb.

“Është e pakuptimtë dhe e papranueshme që sot të kemi më shumë të akuzuar shqiptarë se sa ata të cilët kanë kryer masakra e terror në vendin tonë, andaj si shtet duhet të punojmë shumë që përfundimisht ta ulin në bankën e të akuzuarit serbë dhe jo shqiptarët. Sot dhimbja është shumëfishtë, kur jemi në Reçak secili e kujton atë ditë të 15 janarit nga e cila u trondit edhe bota nga ajo se çfarë ndodhi këtu, por dhimbje ka edhe më shumë kur e dimë që s’është dënuar askush”, u shpreh ajo.

Të ngjashme