Nisma e Kadri Veselit për Paktin kundër korrupsionit është ndër hapat konkret që Partia Demokratike e Kosovës është duke ndërmarrë kundër dukurive negative në institucionet e vendit, kështu u shpreh nënkryetari i PDK-së Memli Krasniqi nëpërmjet një postim në Facebook, shkruan Ekonomia Online.
Krasniqi deklaroi se PDK-ja veç ka nisur ta bëj një gjë të tillë, andaj ai u bën thirrje edhe subjekteve tjera që ta nënshkruajnë nismën e Veselit.
Ky është postimi i plotë i Krasniqit në Facebook:
Pakti Kundër Korrupsionit është vetëm një nga hapat konkret dhe shumë të rëndësishëm që Partia Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj, z. Kadri Veseli, po ndërmarrin në kauzën me të rëndësishme për vendin, në luftën kundër korrupsionit.
Lufta kundër korrupsionit për ne nuk është një betejë me fjalë, por siç e kemi dëshmuar dhe po e dëshmojnë, një angazhim serioz dhe me veprime konkrete.
Qytetarët tanë presin që të bëjmë ndryshime dhe të krijojmë standarde të reja etike në qeverisje. PDK tashmë po e bën këtë dhe presim që edhe subjektet e tjera të dëshmojnë të njëjtën gjë, duke nënshkruar këtë Pakt por edhe duke ndërmarrë veprimet që parasheh ky dokument.
Kjo nismë e re e jona do të ofrojë para qytetarëve lista të pastërta për deputetë, qeverisje pa njerëz që kanë probleme ligjore sa i përket korrupsionit dhe nepotizmit, si dhe hapa të tjerë që do të ndikojnë në përmirësimin e qeverisjes në vend dhe krijimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.