Krasniqi paralajmëron investime serioze në ujitje

Berlin | 21 Jan 2017 | 15:56 | Nga

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, me ftesë të homologut të tij gjerman, Christian Schmidt, po merr pjesë në Konferencën e Ministrave të Bujqësisë që po mbahet në kuadër të Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi (GFFA) dhe Panairit Ndërkombëtar “International Green Week”, në Berlin të Gjermanisë. Mbi 80 ministra të bujqësisë nga shtete të ndryshme janë pjesë e këtij takimi global.

Tema bosht e konferencës së këtij viti ka trajtuar ndërlidhjen e bujqësisë dhe përdorimit të ujit, si element i pazëvendësueshëm për zhvillimin e bujqësisë. Gjatë fjalës së tij në sesionin kushtuar qasjes në burime ujore, ministri Krasniqi tha se kur flasin për ujin, objektiv kryesor duhet të jetë përdorimi efiçient i tij, pasi sipas tij zhvillimi i bujqësisë dhe kalimi nga bujqësia ekstensive në atë intensive e rrit dukshëm edhe intensitetin e përdorimit të ujit, burimet e të cilit janë të limituara.

konfer

“Andaj, investimi serioz në modernizimin e teknologjive të ujitjes dhe adaptimi i sistemeve moderne të shfrytëzimit të ujit, jo vetëm në ujitje, por edhe në fusha të tjera si industria, është mënyra e vetme për të përdorur në mënyrë të mençur burimet ujore. Duke treguar për zhvillimet në bujqësinë kosovare dhe fokusimin tek ngritja e kapaciteteve të ujitjes së tokave bujqësore, mes tjerash, ministri Krasniqi theksoi se kjo është arsyeja pse Kosova e ka vendosur modernizimin dhe zgjerimin e sistemeve të ujitjes ndër prioritetet kryesore për fazën e ardhshme të zhvillimit bujqësor”, tha ministri Krasniqi.

Po ashtu, në kuadër të GFFA, ministri Krasniqi takoi edhe nikoqirin e takimit, Ministrin e Bujqësisë dhe Ushqimit të Gjermanisë, Christian Schmidt, me të cilin bisedoi për zhvillimin e sektorit në të dy vendet dhe për thellimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm. Ministri Krasniqi e falënderoi ministrin Schmidt për vizitën që ka bërë vitin e kaluar në Prishtinë dhe për gatishmërinë e treguar në vazhdimësi për të ndihmuar Kosovën në zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Gjatë vizitës së ministrit gjerman në Prishtinë, të dy ministrat janë pajtuar për hapa konkretë të bashkëpunimit dhe për mbështetjen e sektorit të bujqësisë në Kosovë nga ana e Gjermanisë, për çka ata shprehën dhe një herë përkushtimin edhe gjatë diskutimeve të sotme.

Në margjina të konferencës, Krasniqi ka zhvilluar takime edhe me homologë të shumtë nga vendet pjesëmarrëse, por edhe me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme