Krasniqi me probleme shëndetësore, gjykatësi nuk i jep leje për të kryer analizat

Prishtinë | 12 Kor 2017 | 20:51 | Nga

I akuzuar për sulm ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, Frashër Krasniqi i cili njëherësh në zgjedhjet e fundit nacionale arriti që të siguroj ulëse në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje theksohet të ketë probleme shëndetësore.

Përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, Krasniqi ka bërë të ditur se nga vizita e tij e fundit mjekësore ka kuptuar që ka problem shëndetësore nga mungesa e aktivitetit fizik si dhe nga mos-ekspozimi ndaj diellit, e që i duhet të vazhdojë me kryerjen e disa analizave të tjera.

Por sipas Krasniqit, një kërkesë për të marrë leje në kryerjen e këtyre analizave është refuzuar nga gjykatësi Beqir Kalludra.

Krasniqi ka thënë gjithashtu se nuk e di nëse kjo është neglizhencë apo refuzim i qëllimshëm.

Ky është postimi i plotë:

Pasi nga vizita e fundit mjekësore, doli që kam probleme shëndetësore që vijnë nga mungesa e aktivitetit fizik dhe ekspozimit ndaj diellit, nesër në mëngjes e kisha të caktuar për të bërë analizat e mëtutjeshme.

Por, gjykatësi Beqir Kalludra nuk më ka dhënë leje, ani pse kërkesa është bërë në kohë të duhur, të mjaftueshme për përgjigjjen e gjykatës.

Unë nuk e di a është kjo neglizhencë apo refuzim i qëllimshëm, por cilido qoftë rasti, kjo flet se për Beqir Kalludrën ne jemi thjeshtë emra në shkresa gjyqësore dhe jo njerëz që kanë nevojë të lëvizin e të mirëmbajnë shëndetin.

Vazhdimi i izolimit tonë, çdo dy muaj, tash e 1 vit – pa asnjë interesim nga gjykata rreth gjendjes tonë fizike e shëndetësore – tregon për një sistem drejtësie ku nuk ka njerëz e humanitet por vetëm procedura, montime e shkelje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme