Saga e ofertave e kundër ofertave që janë vënë në tavolinë të diskutimit nga Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës e ka nisur që kur këto dy parti e kishin menduar si opsion shkuarjen në zgjedhjet e gjashtë tetorit me një listë të përbashkët. Ashtu siç kishte dështuar kjo përpjekje e të dy subjekteve, kanë dështuar edhe një varg i ofertave tjera që janë bërë nga dy liderët, Albin Kurti e Isa Mustafa. Deri më tani nuk dihet se si do t’i jepet epilog kësaj pune.
Më shumë se 3 muaj po marrin përpjekjet e VV’së dhe LDK për krijimin e qeverisë. Palët, kohëve të fundit nuk kanë dashur të ulen në tavolinën e bisedimeve, por i kanë dërguar oferta njëra -tjetrës që opinioni i ka parë në rrjetet sociale.
Në takimin e parë të bërë në Kuvend të Kosovës pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit, e ku të pranishëm ishin vetëm Albin Kurti e Isa Mustafa, pasi i kishin harmonizuar programet, filloi edhe ndarja e pozitave.
Fillimisht, të dy këta e patën një mosmarrëveshje lidhur me atë se kush do të duhej të zgjidhte i pari. Mustafa si përfaqësues i partisë së dytë, privilegjin e zgjedhjes i pari e kërkoi për vete, derisa, pasi që iu plotësua lutja nga Kurti, ai vendosi që ta merrte Ministrinë e Punëve të Brendshme, dikasterin që kishte qenë premtim i kamotshëm elektoral i LV-së. Edhe pse Kurti nuk pranoi në parim që të jepte MPB-në, kjo nuk ishte befasia e vetme e takimit me Mustafën.
Për herë të parë, zyrtarisht, shefi i LDK-së, shkoi me një propozim të ri. Me LV-në hynin në koalicion, vetëm nëse këta të fundit pranonin që të merreshin vesh edhe për presidentin, post ky që LDK e kërkoi për vete.
Ani pse Kurti nuk e pranoi ofertën e LDK-së, ndarja e dikastereve dhe pozitave tjera qeverisëse u bë si në vazhdim.
LDK mori Ministrinë e Punëve të Brendshme, Arsimin, Bujqësinë, Mbrojtjen dhe Infrastrukturën ku përfshiheshin Ambienti dhe Planifikimi Hapësinor.
LV në anën tjetër mori MPJ-në që i kishte të bashkuara Integrimet dhe Diasporën, Financat, Zhvillimin Ekonomik ku përfshiheshin Tregtia, Industria, Inovacionit dhe Ministria e Punës, Ministria e Shëndetësisë dhe Sportit dhe ajo e Drejtësisë. Kultura dhe ministria për kthim sipas kësaj marrëveshje ju shkonin minoriteteve.
Përveç që kërkoi premtimin për presidentin, në marrëveshjen e parë, LDK mori edhe kreun e Kuvendit, dhe zëvendëskryeministrin e parë.
LV në anën tjetër mori dy nënkryetarët e Kuvendit dhe zëvendëskryeministrin dytë.
Takimet tjera që u bënë në mes të Kurtit dhe Mustafës e që zgjatën një muaj, nuk sollën asnjë progres në lëvizje të qëndrimeve. LDK insistoi në premtimin për presidentin, ndërsa, LV-ja ua mohoi këtë kërkesë.
Kjo ishte edhe arsyeja se pse seanca e konstituimit të Kuvendit që u caktua nga presidenti Hashim Thaçi, LDK-në e LV-në i gjeti pa marrëveshje.
Me 25 dhjetor, Albin Kurti doli me një video mesazh në profilin e tij në Facebook, nga ku lajmëroi qytetarët se kishin dështuar në arritjen e marrëveshjes me LDK-në. Ai bëri të ditur se në seancë do të shkonin pa pasur dakordim për koalicion.
Si për t’i testuar, në ditën e seancës, LDK-ja doli me një vendim nga mbledhja e kryesisë. Ani pse nuk kishin marrëveshje, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin marrë vesh që t’i votonin propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilat nuk kishin informacione nëse do të bëheshin.
LV e shfrytëzoi këtë ofertë, duke nominuar kështu për kryetar të Kuvendit, njeriun e dytë më të votuar në këtë parti, Glauk Konjufcën. Me 75 vota për, Konjufca u emërua kryetar i Kuvendit, derisa, nënkryetare e parë u emërua Arbërie Nagavci. LDK ndërkaq mbeti me nënkryetarin e dytë, post në të cilin propozuan Kujtim Shalën.
Zhvillimet e 26 dhjetorit i dhanë kahe tjetër diskutimeve në mes të dy partive. Albin Kurti nuk pati mundësi as që të caktonte një takim tjetër me Isa Mustafën pas këtyre ngjarjeve, pasi që ai i konsideroi lëvizje të njëanshme propozimet e LV-së dhe nuk ju lajmërua në telefon liderit të LV-së. Në fakt, këta nuk komunikuan deri kur Kurti doli me video mesazhin e dytë. Aty ai bëri edhe një hap më afër formimit të qeverisë duke propozuar kabinetin e tij qeveritar.
“Nga Lëvizja Vetëvendosje, unë si kryeministër i qeverisë së re, kam përzgjedhur: për zëvendëskryeministër të dytë të Qeverisë Haki Abazin, për ministre të Drejtësisë Albulena Haxhiun, për ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë prof. Blerim Rekën, për ministër të Financave dhe Transfereve prof. Besnik Bislimin, për ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë Rozeta Hajdarin, dhe për ministër të Shëndetësisë dhe Sportit Arben Vitinë. Le t’ia fillojmë punës për të mirën e qytetarëve, e sipas programit qeverisës tashmë të dakorduar. Unë zotohem se menjëherë pasi t’i kemi ata gjashtë emra, do ta sjell emrin e ministrit nga pakicat joserbe dhe atë të pakicës serbe, por edhe emrat e së paku 10 zëvendësministrave”, tha Kurti me 6 janar kur edhe i bëri thirrje Mustafës që të vepronte njëjtë.
LV-së dhe LDK-së përveç ndërkombëtarëve që janë duke ju bërë thirrje të vazhdueshme për koalicion, presionin për marrëveshje ua shtoi edhe i pari i shtetit, Hashim Thaçi që i çoi një numër të letrave në adresë të Kurtit, e nga ku kërkoi takim me të. Ai në takimin me Thaçin shkoi pa një propozimin për mandatar, sepse përsëri kishte dështuar që të merrej vesh me Mustafën.
Javën që lamë pas ndërkaq, është mbajtur edhe takimi i fundit në mes të dy krerëve të partive, që tashmë janë shprehur të bindur se kanë bërë ofertat e fundit.
Kështu LV-ja, ka publikuar dje gjatë ditës ofertën të cilën e kanë vënë në tavolinë të diskutimit.
Sipas saj, zgjidhje e vetme për t’u marrë vesh ishte shtimi i numrit të ministrive në 14-të, pasi që Kurti nuk pranoi që të negocionte me kryeparlamentarin, pozitë në të cilën është emëruar Konjufca.
Propozimi i LV-së thotë se me shtimin e numrit të ministrive, LDK-së, i takojnë 6 dikastere, Vetëvendosjes pesë e tri ministri shkojnë për komunitetet.
LDK merrte nga LV-ja një dikaster që ndahej prej njërës nga ministritë më të mëdha që kishin zgjedhur në parim, e që ishte ajo e Zhvillimit Ekonomik.
Zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, ndërkaq zëvendëskryeministri i dytë LVV-së.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet, ashtu që Kultura dhe Rinia i bashkëngjiten Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa Sporti i bashkëngjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy nga tri ministritë që u jepen pakicave. Ministria e tretë është ajo për Komunitete.
LV premtoi edhe një formulim të përbashkët për cështjen e presidentit, që nënkuptonte konsensus në mes të dy partive për emrin që propozon LDK-ja.
Mirëpo, një ofertë e tillë ka hasur në vesh të shurdhët në LDK. Ani pse Kurti kërkoi që Lidhja Demokratike ta njoftonte nëse e pranojnë apo jo këtë ofertë, ata ia përcjellën përsëri përgjigjen e njëjtë, duke ia përsëritur ofertën e vetme që do t’i bënte që ta pranonin koalicionin.
LDK ka përsëritur kërkesën për kryeparlamentarin, ndërsa kanë thënë se numri i ministrive mbetet sipas ndarjes paraprake 5+5.
“LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës).
Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët, me këto përjashtime, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim”, thuhet në kërkesën e LDK-së.
Ata sqaruan se deri në zgjedhje të presidentit, kur edhe do të bëhej nominimi nga LDK-ja, VV do të merrte VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri. Pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja: VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaq LDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.
Isa Mustafa ka sqaruar se me partinë e tij nuk do të negociojnë ofertën e LV-së, pasi që kanë të qartë kërkesat e tyre. Në anën tjetër, Kurti ka njoftuar se nuk e shkarkon apo ja kërkon dorëheqjen Glauk Konjufcës.
Nuk dihet se cila prej të dy partive do të heq dorë. Thaçi në anën tjetër, ka njoftuar se do të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese se sa ka kohë mund të zgjasë zvarritja e procesit të nominimit të mandatarit nga partia e parë e dalë nga zgjedhjet.
Kurdo që LV dorëzon emrin, Kurtit e Mustafës ju mbeten vetëm 15 ditë për t’u marrë vesh. Çdo skenarë tjetër e çon vendin në zgjedhje të reja.shkruan gazetaexpress