Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar padi ndaj yë gjitha atyre që synojnë të bëjnë presion mbi grevistët për ndërprerjen e grevës, raporton Ekonomia Online.
Në ditën e pestë të grevës Jasharaj së bashku me kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Nevruz Kaptelli vizituan grevistët në shkollën fillore “Dardania”.
Me këtë rast kryesindikalisti Jasharja kërkoi nga kolegët e tij të mos dorëzohen edhe përkundër presioneve, duke shtuar se greva do të ndërpritet vetëm kur të plotësohen kërkesa e tyre.
“Greva është duke u respektuar 100% dhe do të vazhdojë edhe në ditë e ardhshme”.
“…këdo që do ta shohim që po bën presion mbi grevistët për ndërprerjen e grevës do të bëjmë padi”.
“Javën e ardhshme mund të ketë lajme që greva do të mbyllet, por grevën mund ta mbyll vetëm këshilli drejtues. Grevën nuk ka të drejtë ta mbyll askush as unë vetëm. Greva do të mbyllet kur të përmbushen kërkesat tona”.
Kurse kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Nevruz Kaptelli, tha se kërkesat e kolegëve kosovarë janë shumë të arsyeshme dhe se kanë mbështetjen edhe të mësuesve nga Shqipëria.
“Jemi këtu për t’iu inkurajuar që të mos dorëhiqeni, deri në realizimin e kërkesave të juaja. Mos u merrni me qeverinë, ata kanë punët e tyre. Tash ka ardhur koha që mësimdhënësit të kenë paga më të larta”.
“Askush nuk mund të vlerësohet më shumë se mësuesit, ju jeni ata që i keni përgatitur ata që dalin sot dhe kanë paga të majme”.