Ne të gjithë e dimë që stresi i tepërt është i rrezikshëm për shëndetin. Por, për pasojat e mbingarkesës në ecurinë e biznesit flitet gjithnjë më pak.
Stresi në vendin e punës i rrit me tre herë mundësitë që njerëzit të japin dorëheqjen, shkatërron përkohësisht të menduarin strategjik dhe mjegullon aftësitë krijuese. Sa më shumë kompanitë ta kuptojnë këtë, aq më shumë rritet mirëqenia në vendin e punës. Por avantazhet në nivelin individual si palestrat dhe dhomat për të dremitur (nap rooms) nuk janë përgjigjja ndaj problemit.
Në një kërkim të fundit, studiuesit gjetën se ndërkohë që ka një pritshmëri që programet e mirëqenies të reduktojnë shpenzimet shëndetësore, shpesh nuk e bëjnë. Studimi shton se me rritjen e fluksit të punës, programe të tilla nuk janë dhe aq efikase sa mund të mendoni.
Në vend të kësaj, punëdhënësit duhet të gjejnë mënyra të tjera në nivel organizativ për të reduktuar stresin në vendin e punës të cilat nxisin mirëqenien e punonjësve dhe njëkohësisht, përmirësojnë ecurinë e kompanisë. Edhe pse mund të duket e pamundur, nuk është.
Përvoja për më shumë se një dekadë si psikolog klinik dhe konsulent i leadership-it më ka mësuar që parandalimi i mbingarkesës kërkon reduktimin e stresit në vendin e punës dhe rritjen e përfshirjes së punonjësve. Më poshtë janë sa mënyra që t’i bëni të dyja gjërat.
Krijoni një mjedis pune që redukton stresin
Kur punonjësit ndodhen përpara një situate, ku stresi është në nivele të larta – çfarëdo qoftë, pritshmëri të paqarta, afate të paarsyeshme apo një mjedis pune të tensionuar, ata rrezikojnë të kalojnë në modalitetin flight apo flight mode.
Kjo është diçka që i ndodh trupit tonë kur ndihet i kërcënuar. Në situata të tilla, aftësia për të menduar në afat të gjatë, për të krijuar strategji, për të menduar në mënyrë inovative, zvogëlohet. Nëse qëndrojmë në këtë modalitet për një kohë të gjatë, në fund, do të ndihemi të mbingarkuar/ Për këtë është e nevojshme të ndërtoni një mjedis pune të sigurt dhe të përfshini zakone për reduktimin e stresit në fluksin e përditshëm të punës të punonjësve tuaj.
Rrisni sigurinë psikologjike
Nëse punonjësit e perceptojnë mjedisin tuaj të punës si një kërcënim, ju nuk mund të ndërtoni besimin, i cili është i nevojshëm për ta, për të bashkëpunuar dhe për të sjellë risi.
Në librin e saj “The Fearless Organization”, Amy Edmondson, përshkruan tre hapa që duhet të bëni për të ndërtuar sigurinë psikologjike.
Së pari, bëni të qarta pritshmëritë, me objektiva të përcaktuar.
Së dyti, sigurohuni që të gjithë të dinë se zëri i tyre do të dëgjohet dhe se ju dëshironi që zëri i të gjithë punonjësve tuaj të dëgjohet.
Këtë mund ta bëni duke i ftuar njerëzit të flasin gjatë takimeve.
Së treti, zhvilloni një mjedis ku puna të jetë stimuluese dhe jo kërcënuese.
Bëjuni të ditur punonjësve që dështimi është i nevojshëm dhe se është mirë kur mendojnë jashtë kornizave. Kërkojuni vazhdimisht atyre një feedback për të kuptuar nëse jeni duke ecur të gjithë me të njëjtin hap.
Ndërtoni pushime të shkurtra të rregullta në ditën e punës – Truri i njeriut mund të përqendrohet për rreth 90 – 120 minuta përpara se t’i duhet një pushim. Për këtë arsye duhet të nxisni punonjësit tuaj të largohen nga tryeza e punës dhe të shkëputen prej saj herë pas here. Duke u dhënë kohë për t’u çlodhur, ju u jepni atyre hapësirën e nevojshme mendore për të qenë më pas më produktivë.
Nxisni përdorimin e hapësirave private në punë kur pjesëtarët e ekipit kanë nevojë për përqendrim – Mjediset e hapura (open spaces) janë burim shpërqendrimesh, duke rritur stresin dhe duke reduktuar produktivitetin. Ndonjëherë ekziston pritshmëria që punonjësit duhet të jenë përherë të gatshëm për mbledhje dhe takime të papritura. Nëse nuk keni hapësira pune private, ku punonjësit të shkojnë e të përqendrohen, përpiquni të përdorni sinjalistikë si “mos më shqetësoni” kur është e nevojshme e apo planifikoni “orë të qeta” gjatë të cilave ata të punojnë.
Caktoni kufij rreth orës jashtë punës – Një studim ka gjetur se jo vetëm përgjigjja ndaj email-eve rrit ankthin, por edhe pritshmëria që do të jenë të gatshëm ta bëjnë këtë edhe jashtë orarit të punës. Për ta luftuar fenomenin në fjalë, caktoni kufij të qartë dhe zbatojini ato. Dërgoni email-e dhe përgjigjuni telefonatave vetëm kur është vërtet urgjente.
Krijoni politika elastike -Nëse ju dëshironi një ekip pune elastik, ju duhet të krijoni një mjedis të tillë. Ofrojuni punonjësve mundësinë të punojnë në mënyrë fleksibël, duke iu përshtatur edhe nevojave të ndryshme personale. Organizoni takime individuale për të kuptuar këto nevoja dhe për të gjetur zgjidhje alternative për njerëzit që kanë vështirësi të gjejnë një balancë mes jetës profesionale dhe asaj personale.
Si të ndërtoni angazhimin e punonjësve:
– Jini transparent
– Sigurohuni që njerëzit të jenë në rolet e duhura
– Jepuni autonomi
– Shfaqni përkushtim për rritjen e punonjësve tuaj.
– Krijoni një kulturë pune vlerësuese