Krijuesi i “Squid Game” thotë se nuk është aq i pasur sa lojtari 456 që fitoi lojën

Prishtinë | 30 Tet 2021 | 12:47 | Nga Ekonomia Online

Krijuesi i Squid Game, Hwang Dong-hyuk zbuloi se NUK mori një bonus nga Netflix… pasi u bë shfaqja më e njohur e transmetuesit

Netflix konfirmoi në fillim të këtij muaji se seriali korean “Squid Game” ishte seriali më i shikuar ndonjëherë… por kjo nuk e bëri më të pasur krijuesin/sskenaristin/regjisorin e serialit, Hwang Dong-hyuk, shkruan DailyMail.

Seriali, i cili trajton jetën depresive të një grupi të panjohurish të përzgjedhur rastësisht të cilët janë zhytur në borxhe, të zgjedhur për të konkurruar në lojëra vdekjeprurëse për një çmim masiv, u shikua nga një rekord prej 111 milionë abonentësh, duke mposhtur serialin “Bridgerton” si serialin më të madh në Netflix.

Hwang, 50 vjeç, i cili shkroi skenarin dhe ishte regjisor i nëntë episodet e “Squid Game”, u pyet në një intervistë nga The Guardian nëse ai tani është po aq i pasur sa konkurrenti fitues i lojës, gjë për të cilën ai qeshi, duke zbuluar se Netflix nuk i ka dhënë asnjë lloj bonusi për suksesin e serialin.

“Unë nuk jam aq i pasur. Por unë kam mjaft. Kam mjaftueshëm për të vënë ushqim në tavolinë. Dhe nuk është se Netflix po më paguan një bonus. Netflix më pagoi sipas kontratës origjinale”, tha Hwang.

Dokumentet e zbuluara treguan se prodhimi i shfaqjes kushtoi 15.5 milionë funte (21.28 milionë dollarë), që rezulton në 1.75 milionë funte (2.4 milionë dollarë) për episod.

Netflix tani vlerëson se mbi 142 milionë abonentë e kanë parë shfaqjen, duke përfshirë 4.4 milionë abonentë të rinj, dhe vetë shfaqja besohet se vlen rreth 650 milionë funte (892.2 milionë dollarë) për Netflix-in në tërësi.

Hwang zbuloi gjithashtu se shkenari dhe regjia e çdo episodi ishte një sprovë kaq stresuese saqë ai humbi gjashtë dhëmbë gjatë prodhimit.

“Ishte e lodhshme fizikisht, mendërisht dhe emocionalisht. Vazhdova të kisha ide të reja dhe të rishikoja episodet ndërsa po filmonim, kështu që sasia e punës u shumëfishua”, tha Hwang.

Ai gjithashtu zbuloi se seriali origjinal ishte frymëzuar nga vështirësitë financiare të familjes së tij, pas kolapsit ekonomik global të vitit 2009.

“Unë isha shumë i ngushtë financiarisht sepse nëna ime doli në pension nga kompania për të cilën punonte”, tha Hwang.

Ai shtoi se ishte duke punuar në një film, por nuk arriti të merrte financim. “Kështu që nuk mund të punoja për rreth një vit. Na u desh të merrnim kredi – nëna ime, unë dhe gjyshja ime”.

Gjatë kësaj pike të ulët ai ngushëllohej në kafenetë e librave komik të Seulit, ku lexonte klasike si “Battle Royal” dhe “Liar Game”.

“Unë u lidha me njerëzit në to, të cilët ishin të dëshpëruar për para dhe sukses. Kjo ishte një pikë e ulët në jetën time”, tha Hwang.

“Nëse do të kishte një lojë mbijetese si këto në realitet, pyesja veten, a do të bashkohesha me të për të fituar para për familjen time? E kuptova se, që kur isha regjisor, mund të vendosja prekjen time në këto lloj tregimesh, kështu që fillova me skenarin”, shtoi ai.

Të ngjashme