E mërkura e 27 janarit ishte dita e fundit e jetës së Albert Krasniqit, i cili dyshohet se u vra në Prishtinë nga babai i tij, Skënder Krasniqi.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet për vrasjen e Krasniqit, teksa ka kërkuar që Skënder Krasniqi të shkojë në paraburgim prej një muaji për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Personi i lartcekur, dyshohet se më 27 janar 2021, rreth orës 17:00, me armë zjarri ka privuar nga jeta personin me inicialet A.K., (djalin e tij), në garazhin e objektit banesor të tyre, nga motive të panjohura deri më tani”, thuhet në kumtesë, transmeton KlanKosova.tv.
“I dyshuari, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, ndërsa, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë, për obdukim”.
Përpos tragjedisë së djeshme, edhe nëntë familje të tjera në Kosovë përjetuan krimin mes anëtarëve të tyre gjatë vitit 2020, ku për pasojë mbetën të vdekur 12 persona.
Viktimat e këtyre rasteve janë katër persona të gjinisë femërore dhe tetë të gjinisë mashkullore.
Sipas të dhënave të policisë të dyshuarit për këto vrasje janë të gjithë të gjinisë mashkullore, përveç një femre.
Lidhur me trajtimin e rasteve të kësaj natyre, eksperti i sigurisë, Drizan Shala vlerëson se nevojitet angazhim shtesë nga institucionet shtetërore.
Shala për KlanKosova.tv thotë se Qeveria duhet të hartojë një program të avancuar për vrasjet dhe të marrë shembull nga vendet tjera.
“Institucionet e shtetit për fat të keq nuk kanë programe të veçanta sa i përket aspektit të parandalimit të rasteve të tilla sepse fokusi kryesor i institucioneve tjera siç është : Policia, Prokuroria dhe Enti për familje merren vetëm pasi të këtë ndodhur rasti me të cilen shkelen normat juridike të vendit.
“Pra qeveria duhet të hartojë një program më të avancuar ashtu siç e ka shteti model Suedia ku zingjiri i komunikimit ndërinstitucional do të ishte jetik për të eliminuar raste të tilla në shoqërinë kosovare”.
Ai mes tjerash si shkak të rritjes së dhunës në familje dhe vrasjeve e sheh edhe pandeminë.
“Është konstatuar fakti që ndryshimi i procesit të jetës dinamike si rezultat i pandemisë ka ndikuar që familjet të jenë qendra të frekuentuara gjatë 24 orëve dhe në pamundësi për tu adaptuar me një ndryshimit të tillë bazuar edhe në statistika zyrtare kemi një trend të rritjes së veprimeve si dhuna në familje dhe vrasje”.
Edhe sociologja, Flakë Ymeri, thotë se pandemia ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve të dhunës dhe vrasjes brenda familjes.
“Gjatë vitit të kaluar ne kaluam një vit me shumë sfida, përballja me pandeminë që ishte sfidë për gjithë shoqërië në gjithë globin. Por, shoqëria kosovare u goditë edhe më rëndë duke parë rrethanat në të cilat jetojmë – me shumë probleme ekonomike e sociale te cilat janë rritur edhe më shumë nga mbyllja”.
Ymeri thotë se institucionet e vendit duhet të ushtrojnë fushata sensibilizuese në parandalimin e këtij fenomeni.
“Institucionet do të duhej të ishin më të vëmendshme në parandalimin e dhunës dhe vrasjes brenda familjes. Duhet të ketë fushata senzibilituese mbi parandalimin e këtij fenomeni, vetëdijsim më të madh të shoqërisë mbi rëndësinë e familjes si gjeneze pasi nga familja ne nuk mundë të shmangemi sepse roli jonë si shoqëri dhe vlerat të cilat i ka familja duhet të gjejnë mbështetje edhe nga institucionet e Republikës së Kosovës”.
“Në momentin e rritjes së raportimit të dhunës në familje duhet të mobilizohen organet kompetente dhe personat të cilët janë vikimë e dhunës të i’u ofrohet trajtim në rehabilitim dhe ngritje të moralit. Asesi nuk duhet të anashkalohen as viktimat e as ata që shkaktojnë dhunë”, tha Ymeri për KlanKosova.tv.
Policia e Kosovës nga ana tjetër iu ka bërë thirrje qytetarëve që t`i raportojnë rastet e dhunës në familje ose çfarëdo lloj dhune tjetër.
“Trajtimi i rasteve me prioritet nga ana e Policisë së Kosovës, bashkëpunimi i qytetarëve me policinë dhe senzibilizimi i qytetarëve, ka ndikuar në ngritjen e raportimit të rasteve. Andaj referuar rasteve të ngritura si dhe në veçanti referuar situatës dhe rrethanave qe gjendemi në këtë kohë pandemie, Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të mos shfaqin dhunë ndaj askujt”.
“Policia e Kosovës edhe përkundër angazhimeve shtesë këto raste i trajton me prioritet dhe bënë apel për të gjithë personat nëse janë pre e dhunës në familje ose çfarëdo lloj dhune tjetër, t`i raportojnë këto raste përmes numrave të telefonit 192 dhe 080019999 apo në stacionin më të afërt policor”, thuhet në një përgjigje të PK-së për Klankosova.tv.
Krahasuar me vitin e kaluar, në vitin 2019 bazuar në të dhënat e policisë ndodhën shtatë raste të krimit brenda familjes.