Serbia duhet t’i zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën dhe ky është kriter i pakalueshëm në kapitullin 35. Kështu shkruan gazeta “Blic” nga Beogradi, ku ka publikuar 13 kërkesat teknike që dalin nga kapitulli i 35-të. Me gjithë marrjen e obligimeve, shumica prej tyre deri më tani nuk janë zbatuar, pasi Serbia vazhdon t’i konsiderojë të pakapërdishme, shkruan sot “Koha Ditore”.
Analistë nga Prishtina e vlerësojnë kërkesë të kompletuar të Bashkimit Evropian, e cila ka për qëllim arritjen e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, fillimisht teknik e më pas politik, ka shënuar pak përparim e më shumë ngecje. Në këtë kuadër janë arritur disa marrëveshje, por që nuk kanë gjetur pothuajse asnjëherë zbatim të plotë në terren. Mediat në Serbi thonë se dialogu i Brukselit e ka afruar vendin e tyre drejt integrimeve evropiane, ndonëse e pranojnë se detyrat më të vështira Serbia do t’i ketë në kapitullin 35.
“Serbia nuk do të jetë e obliguar t’i plotësojë menjëherë, por duhet ta ketë parasysh që janë kushte që për asnjë moment nuk guxon t’i heqë nga mendja. Aq më tepër, sepse përmbushja e këtyre kushteve të ndërlidhura me Kosovën janë ‘gurë në këpucë’”, shkruan “Blic”.