Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, priti sot në një takim Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, Peter Stenlund.
Ky i fundit shprehu gatishmërinë e Finlandës për ta mbështetur të gjithë rajonin dhe Shqipërinë për t’u integruar në BE, por përmendi meritokracinë si një kriter ku do të bazohet vlerësimi i vendit të tij, për të votuar pro ecurisë së proceseve integruese.
Gjatë takimit, Bushati njohu Stenlund me progresin e vendit në fushën e reformave, adresimin e pesë prioriteteve kyçe, me fokus reformën në drejtësi dhe zbatimin e procesit të Vettingut, si dhe pritshmëritë në lidhje me vendimmarrjen mbi hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë këtij viti.
Nga ana e tij, Sekretari i Shtetit Stenlund nënvizoi rolin mbështetës të Finlandës për procesin e zgjerimit dhe përpjekjet e Shqipërisë në këtë kontekst. Në kuadër të përgatitjeve të Finlandës për presidencën finlandeze të Këshillit të BE-së në vitin 2019, Sekretari i Shtetit Stenlund vlerësoi rëndësinë që ka mbështetja e perspektivës së qartë evropiane për rajonin dhe Shqipërinë.
Duke u ndalur tek sfidat me të cilat përballet Bashkimi Evropian, Stenlund theksoi se anëtarësimi i vendeve në BE ka të bëjë jo vetëm me përgatitjen e tyre, por dhe me komunikimin mes vendeve anëtare për këtë qëllim. Duke nënvizuar se vlerësimi do të bëhet bazuar në meritë, ministri Bushati dhe Sekretari i Shtetit Stenlund ndanë mendimin për nevojën e nxitjes së shpirtit politik të procesit të zgjerimit.
Duke vlerësuar Strategjinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian, ministri Bushati theksoi rëndësinë e pasurimit të saj me mekanizmat e nevojshëm, përfshirë ato financiarë për vendet e rajonit, me qëllim përgatitjen e tyre për anëtarësim dhe ngushtimin e diferencave mes tyre dhe vendeve të Evropës Lindore, anëtare të BE-së.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen gjithashtu mendime në lidhje me situatën e sigurisë në rajonet përkatëse, sfidat në përballjen me to dhe koordinimin e përpjekjeve për këtë qëllim.