Qeveria ka hartuar një strategji të re për reformat, të titulluar si “Plani 18”, e që thuhet se do të jetë vazhdimësi e planit të njohur si 3-6-9.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, thotë se plani përfshin kryesisht nevojën për reforma në gjyqësi, që vazhdon të jetë pika më e dobët e institucioneve, e që është kritikuar në vazhdimësi nga bashkësia ndërkombëtare, por edhe në sfera tjera si administratë, sferën e sigurisë, media, Kodin zgjedhor, funksionalitetin e institucioneve, e çështje tjera.
Zëvendëskryeministri Osmani beson se ky plan do të mundësojë nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, edhe pse pengesa kryesore për një gjë të tillë mbetet kontesti me Greqinë për çështjen e emrit.
“Kemi plan për të mbuluar periudhën deri në fillimin e bisedimeve. Ky është plani 18, në të cilin do të dominojnë reformat në gjyqësi, vazhdimi i strategjisë për reforma në jurisprudencë që ishte miratuar në një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, Ka një plan aksional me një varg ligjesh e që duhet të miratohen”.
“Disa janë miratuar me planin 3-6-9, e disa duhet të miratohen me planin 18. Pra, ne vazhdojmë duke respektuar parimet kryesore, transparencën dhe gjithëpërfshirjen”, deklaron Osmani duke paralajmëruar edhe debate tjera deri në miratimin e agjendës.
Nga sektori civil, i cili po ndjek realizimin e reformave, thonë se ende nuk e kanë para agjendën e re reformuese, ndërsa sugjerojnë që plani të përmbajë çështje konkrete.
Simonida Kacarska, nga Instituti për Politika Evropiane, thotë se me rëndësi është të dihet se çfarë ligje do të ndryshohen dhe çfarë do të përmbajnë zgjidhjet e reja, që të mos ndodh si në të kaluarën kur ndryshimet ligjore më tepër kanë qenë sipërfaqësore se sa që i kanë trajtuar në thelb pengesat.
“Pres që tri sfera që ishin identifikuar nga Komisioni Evropian si kyçe, përkatësisht gjyqësia, administrata publike dhe reformat në sferën e sigurisë, të mbeten në fokus… një nga kritikat e planit 3-6-9 kishte të bëjë me atë se disa nga indikatorët nuk janë të qartë sa i përket afateve apo realizimit të tyre. Këtë e pret edhe Komisioni Evropian, pra duhet të ketë qartësi mbi përmbajtjen dhe pozitën fillestare”, thekson Kacarska.
Se duhet ende punë për përmbushjen e reformave, e thotë edhe eksperti gjerman, Rajndard Pribe, i cili ka drejtuar një grup ekspertësh të Bashkimit Evropian për të vlerësuar procesin e reformave, për çka edhe kishte hartuar një dokument me pikat më kritike.
Pribe këtë javë ka qëndruar në Maqedoni prej nga sërish ka bërë thirrje për reforma, në veçanti në sferën e drejtësisë.
“Sundimi i ligjit është me rëndësi të madhe për afrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Të gjitha resurset dhe faktorët në shoqëri duhen të angazhohen dhe përqendrohen në arritjen e këtij qëllimi….Raporti i Progresit i BE-së për Maqedoninë, konstaton përparim në fusha të caktuara, por ka edhe shumë fusha ku duhet bërë ende shumë punë, të zbatohen reformat e nevojshme për procesin e integrimit evropian…”
“Ne kemi propozuar zbatimin e shumë politikave evropiane në shumë fusha pasi janë në interes të qytetarëve dhe jo vetëm për të përmbushur kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Rejnhard Pribe, ekspert gjerman./REL