Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar tryezë me temën “Arsimi Parauniversitar në Kosovë”.
Aty u diskutua për menaxhimin e institucioneve shkollore , decentralizimin e kompetencave dhe sigurimin e cilësisë në arsim.
Sipas iniciuses së këtij diskutimi, Arbërie Nagavci, kjo tryezë është organizuar për shkak të çështjeve dhe ndodhive të shumta në sistemin e arsimit, raporton Ekonomia Online.
“Ky cikël i tryezave është planifikuar për çështjet e iniciuara në këtë kohë. Sfidat, licencimi i mësimdhënëse, vështirësitë në aspektin financiar, e shumë çështje tjera. Kjo tryezë ka të bëjë kryesisht me menaxhimin e arsimit”, shpjegoi ajo.
Drejtuesi i Qendrës për Arsim në Kosovë, Dukagjin Popovci, tha se Plani i Ahttisarit me Ligjin për Arsim në komuna ka imponuar një sistem të decentralizimit në sistemim arsimor.
“Ky sistem në Kosovë është i decentralizuar për shkak të një tradite që kemi nga plani i Ahttisarit i cili me Ligjin për Arsimin në komuna ka imponuar një sistem të decentralizimit. Një drejtor shkolle i emëruar nga kryetari i komunës shumë shpesh mund të jetë i pa menaxhueshëm për drejtorin komunal të arsimit. Inspektorati i arsimit në vitin e kaluar është privuar nga përgjegjësia të ndërhyjë në punësime dhe kjo ka kaluar në Inspektoratin e Punës. Aktivet lëndore duhet të jenë më shumë aktive pasi që aktivi i tillë duhet t’i ndihmojë mësimdhënësit që të nxjerrin gjëra të ndryshme në grafikët e mësimdhënies”, tha Popovci.
Sipas tij, ndodh shpesh që koordinatorët e cilësisë po emërtojnë mësimdhënës që nuk kanë aq orë të mjaftueshme.
“Procesi i emërimit të koordinatorëve duhet të vazhdojë, por duhet të emërohen në nivel të komunave”, tha ai.
Popovci tha se shkollat e mesme të larta shumë rrallë po e zbatojnë mundësinë e praktikës në lëndët mësimore.
“Për t’i ruajtur vendet e punës është shumë e vështirë të mbyllen paralelet e ndara. Shkollat tona kanë nevojë shumë për mësues mentor ose ndihmës. Ne në Kosovë kemi 102 shkolla të mesme të larta. Ju në shumë shkolla profesionale tani mund të gjeni shumë drejtime në të cilat nuk ka fare punë praktike”, u shpreh ai.
Selim Mehmeti, nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, tha se shumica e shkollave në Kosovë më shumë po merren me infrastrukturën e shkollës sesa me cilësinë e arsimit në të.
“Inspektorati i Arsimit është mekanizimi kryesor i shtetit tonë i cili e ka për detyrë me e adresu dhe tregu çështjen e cilësisë ne arsim në vendin tonë. Shkollat tona kanë zhvillu plane zhvillimore dhe për vite me radhë shkollat tona e kanë drejtu interesimin në infrastrukturën e shkollës dhe jo në cilësinë arsimore. Jam dakord me mbylljen e paraleleve të ndara në numër të madh i cili është aktualisht në Kosovë. Kjo mbyllje duhet të marrë një konsensus dhe një përgatitje”, tha ai.
E njohësi i çështjeve të arsimit, Jusuf Thaçi, tha se çështja e udhëtimit të nxënësve në shkolla të cilët bëjnë shumë kilometra larg është torturuese për nxënësit dhe e papranueshme për prindërit.
“Në raste kur duhet të detyrohen nxënësit me udhëtu është torturuese edhe shumë e papranueshme për prindërit. Problemi kryesor që duhet me u adresu është problemi me mungesën e resurseve. Kemi Inspektoratin e Arsimit, por ata janë shumë në numër në komuna që ta sigurojnë cilësinë në arsim. Kemi shumë mungesë të resurseve profesionale”, tha Thaçi.