Kriza e likuiditetit te nizneset: Nevoja për një infuzion apo terapi shoku

Prishtinë | 05 Pri 2024 | 21:17 | Nga Shenoll Muharremi

Çdo ditë e më shumë po shof biznese të cilat po ankohen. Dy janë telashet që ato po paraqesin më së shumti: likuiditeti dhe fuqia puntore. Për këtë të fundit kam folur gjatë. Kjo me likuiditet është po aq serioze sa edhe anomalitë në tregun e punës që i kemi. Nevojitet një ‘infuzion’ serioz. Një terapi shoku.

“Ka punë, por nuk ka pare”, kështu e paraqesin. Kjo nënkupton që ti do të detyrohesh, për të mbetur në biznes, të punosh edhe pa pagesë aktualisht dhe të presësh për parat tuaja pastaj. Kjo nuk është biznes-bërje, më shumë një luftë për mbijetës. Mbase edhe mungesa e ekosistemi sipërmarrës në vend e bënë më të vështirë gjendjen.

Kosova nuk ka filluar ende të investojë në ifrastrukturë, përkrahje dhe ekosistem të bizneseve. Dita e parë si duhet të ndihesh të jesh sipërmarrës nuk ka ardhur në Kosovë ende.

“Kompenzsmi” është një mekanizëm që është ri-integruar si ‘inovacion’ qe sa kohë në mungesë të kapaciteteve likuiduese të bizneset për të paguar për shërbimet dhe punet.

Kjo situatë sidomos e vështirëson operacionet e bizneseve për shkak se situatat bëhen të vështira kur vie koha e pagesave për puntorët. Punëtorit nuk i intereson nëse ti ke pranuar parat që ata kanë punuar. Ata duhet të paguajnë rrymën, të blejnë ushqimet, qumështin e pelenat për fëmijët e tyre…

Baza e këtij problemi mund të jetë në faktin që ekonomia vendore është jashtëzakonisht modeste. Rreth 10 miliardë euro vetëm është bruto produkti vendor në vit. Kjo nënkupton që e gjithë vlera e prodhimit dhe shërbimeve vendore është rreth 10 miliardë.

E në këtë scenario, rreth -5 milairdë në vit na dalin jashtë tregut/vendit vetëm më humbje në bilancin e tregtisë (importin kronik). Këto 5 milairdë që ne i humbasim secilin vit e vështirësojnë tej mase gjendjen. Sikurse këto 5 miliardë nga humbja në tregtinë e mallrave të mbeteshin brenda, ne do të kishim dy herë më shumë likuiditet dhe fuqi blerëse dhe potencial zhvillimor në vit.

Politika ekonomike që kujdesen për bizneset vendore nuk kemi në Kosovë ende. Andaj edhe e kemi gjendjen e këtillë në ekonomi dhe biznese. Ato shifen si mjet për të ju marrur taksat, por nuk ju ndihmohet thujaser në asnjë mënyrë.

Një grant shumë mirë i dizajnuar dhe programuar nga qeveria që u lancua këto ditë për biznese ka vlerë totale vetëm 2.5 milion euro për të gjitha bizneset. Ato 2.5 milion ndahen në 3 pjesë pastaj. Në fund të ditës, bizneset marrin lëmosha.

2.5 milion një projekt i vetëm biznesor nuk mjafton. Investitorët e Prishtina Mall thuhet se kishin investuar mbi 400 milion vetëm në atë projekt. Kjo mbase, këto 2.5milionët e tregojnë më së miri gjendjen e bizneseve dhe ekonomisë vendore.

Apo është edhe një ‘Park Biznesi’ në magjitralën Prishtinë-Mitrovicë që ka filluar të ndërtohet qe shumë vite dhe asesi nuk po avancon. Ajo tashmë është sikurse një varresë pa varre. Aq sa është bërë nga institucionet publike qe 10 vite në atë projekt, një biznes mesatar do ta realizonte për 1 muaj. Një iniciativë biznesi që do të duhej të përfundoj për disa javë nuk po realizohet as edhe pas shumë viteve!

Ky është tempo e rritjes dhe zhvillimit… Gjithashtu ky është një indikatorë sa për krahen bizneset dhe sa janë interes nacional ekonomia dhe zhvillimi i bizneseve.

Këtë nuk po e shkruaj të ironizoj apo të ‘godas’ qeverinë e pushtetin, nuk më interson ajo punë. Po e shkruaj me ngritë vetëdijën tonë për një ndër temat kryesor të jetës në vend. Pa ekonomi nuk ka jetë të mirë.

As pavarsia dhe liria nuk mund të jetësohen si duhet pa ekonomi, për shkak se njerëzit do të ikin nga këtu kështu. Për të i japur kuptim lirisë, pavarsisë, ne duhet të kemi mirëqenie dhe mundësi në këtë vend. As paqe politike dhe harmoni të grupeve etnike nuk do të ketë pa ekonomi dhe mirëqenie. Kjo është temë shumë serioze, por ne po e injorojmë gjatë. Po e injorojmë interesin tonë bazë strategjik, interesin e vet jetës.

Një bombë e kurdisur mbase që mund të eksplodoj nëse nuk bëhet deaktivizimi i saj. E për të bërë atë nevojitet, jo vetëm vëmendje dhe resurse, por edhe dije dhe sidomos kohë. E mbi të gjitha, nuk do ta bëjë këtë tjerët për ne, se gjithkush i ka hallet në shtëpitë e tyre. Kjo është një detyrë e jona që gjithashtu do të i jep kuptim jetës, lirisë, pavarsisë dhe gjithashtue dhe sigurisë dhe paqës afatgjate në Kosovë dhe Ballkan.

Të ngjashme