Në tryezën e mbajtur sot nga Komiteti për Energjetikë i VETËVENDOSJE-s me temë “Sfidat e energjetikës – problemet në minierat e qymyrit” mbajtën prezantimet e tyre Kryetari Visar Ymeri, Drejtuesi i Komitetit për Energjetikë, Naim Hoxha, Ismet Raqa dhe Sylejman Krasniqi, inxhinierë dhe ekspertë të fushës si dhe deputetja Donika Kadaj.
Ekspertët me eksperiencë të gjatë pune në minierat e KEK-ut u shprehën për degradimin me intensitet të lartë në divizionin e qymyrit. Ata po ashtu paraqitën dhe keqpërdorimet e gjithanshme që i janë bërë këtij sektori ku më së shumti u theksua mungesa e çfarëdo vizioni, planifikimi apo strategjie.
Diskutim ngjalli edhe prezantimi i Kryetarit Visar Ymeri, në pikën e ndërtimit të Korporatës së Qymyrit, që është dhe propozim programor i Lëvizjes. Ai shpjegoi se rithemelimi i Korporatës publike të Qymyrit do të përfshijë minierat ekzistuese, fushat e shfrytëzimit dhe zonat hulumtuese. Ymeri u ndal po ashtu në rrezikun e shtuar që po paraqitet nga improvizimet me prapavijë interesa klienteliste sa i takon sigurisë së prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë. E në këtë drejtim Lëvizja VETËVENDOSJE! do të intensifikojë veprimet e ndërhyrjet e saj veçanërisht në Kuvend.
Naim Hoxha tha se pavarësisht çështjeve që i kemi adresuar vazhdimit, situata po vazhdon të mbetet e njëjtë. Ai pasi paraqiti problemet me vendimet e qeverive sa i takon trajtimit të pronave përreth minierave vuri theksin në nevojën emergjente të strategjisë së zhvillimit të sektorit energjetik si parakusht i zhvillimit ekonomik. Është tejet i rëndësishëm, hartimi i strategjisë zhvillimore energjetike që nuk ndalet te klishetë boshe të këtyre 18 viteve por që analizon e parashikon si do të zhvillohet si park energjetik zona e termocentraleve, se si do të mbrohet ambienti e shëndeti i popullatës dhe se si do të ndërtohen e
planifikohen kapacitetet e reja energjitike.
Inxhinieri Ismet Raqa paraqiti gjendjen e minierës, projektin fillestar për hapen e saj dhe devijimin e qëllimtë nga projekt-ideja. Gjendja e tashme e minierës dhe zonat ku po punohet sinjalizojnë për rreziqe të reja përpos atyre që tashmë dihen sa i takon banorëve aty pranë por edhe krizës për qymyr në gjashtëmujorin e parë të vitit në vijim 2018.
Kurse, inxhinieri Sylejman Krasniqi foli për shkaktarët e krizës energjetike. Problemin e shtëpive në Shipitullë dhe Hade, ai e sheh si problem që e ka zanafillën që prej vitit 2004. “Drejtori aktual i KEK-ut do që ta reduktojë minierën vetëm në dy hektarë tokë për aq sa i kanë premtuar pronarët e tokave në Shipitullë. Kjo është shaka me opinionin sepse kjo nuk mjafton as për gjerësinë e një ekskavatori”, u shpreh ai. Krasniqi po ashtu paraqiti të dhënat mbi abuzimet milionëshe që po bëhen me fondet publike të KEK duke kontraktuar kompani private për të larguar materialet nga djerrinat ndërkohë që automjetet e specializuara në gjendje punë si dhe punëtorët e specializuar të KEK qëndrojnë pa punë.
Kriza në këtë sektor është krijuar më vetëdije. Nuk mungojnë shembujt e ngjashëm në rajon. Është e qartë se sa i takon minierave të qymyrit brenda Korporatës Energjetike të Kosovës abuzimet kanë datë, të paktën prej vitit 2004 e deri më tash. Ato janë përgjithësisht të natyrës korruptive por edhe të qëllimshme. Lejimi i ndërtimeve në zonat e shpallura me interes të veçantë, përreth minierave dhe devijimi i projekt idesë për hapjen e minierave të reja janë dy anët e të njëjtë medalje, asaj të dobësimit të qëllimshëm të Korporatës dhe veçanërisht të divizionit të qymyrit si sektorë kyç i energjetikës në Kosovë.