Kroacia në mesnatë prezanton euron dhe hyn në zonën Shengen

Prishtinë | 31 Dhj 2022 | 09:55 | Nga Ekonomia Online

Duke filluar nga mesnata, Kroacia do të hyjë në të njëjtën kohë në zonën Shengen dhe në Eurozonë, të cilat kanë qenë synimet strategjike të Zagrebit që nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, më pak se dhjetë vjet më parë.

Natën e 31 dhjetorit deri më 1 janar, Ministri i Financave, Marko Primorac dhe Guvernatori i Bankës Kombëtare Kroate, Boris Vujçiq do të marrin pjesë në një program përkujtimor para ndërtesës së Bankës Kombëtare Kroate në Zagreb për të shënuar anëtarësimin në eurozonë, d.m.th. kalimin në euro si monedhë zyrtare.

Me atë rast, ndër të tjera, ai do të tërheqë euro për herë të parë në një bankomat, raporton index.

Në të njëjtën kohë, ministri i Punëve të Brendshme, Davor Bozhinoviq dhe ai i Punëve të Jashtme dhe Evropës, Gordan Grliq Radman do të jenë në vendkalimet kufitare të Breganit me Slloveninë dhe Goriçanit me Hungarinë, transmeton Telegrafi.

Heqja simbolike e tabelës, laurës dhe drita e gjelbër e kalimit të lirë në vendin e ish-kontrollit kufitar në mesnatë do të shënojë hyrjen e Kroacisë si anëtarja e 27-të në zonën më të madhe të lëvizjes së lirë në botë.

Me hyrjen e Kroacisë në zonën më të madhe pa kufij në botë, hiqen kontrollet kufitare me të gjitha vendet e BE-së, ndërsa kufijtë me Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi bëhen kufijtë e jashtëm të BE-së.

Nga 1 janari do të shfuqizohen 73 pika kufitare tokësore dhe 12 pika kufitare detare, ndërsa për arsye teknike do të hiqen kontrollet në aeroporte nga 26 marsi.

Për qytetarët e vendeve të tjera fqinje që nuk janë në BE, hyrja e Kroacisë në Shengen nuk sjellë ndryshime në procedurën e kalimit kufitar sepse Kroacia ka zbatuar tashmë rregullat e Shengenit, por do të ketë ndryshime kur të bëhet fjalë për qëndrimin e tyre në Kroaci, i cili nga 1 janari 2023 nuk mund të kalojë 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore.

Me hyrjen e Kroacisë në eurozonë, monedha kroate kuna do t’i takon së kaluarës dhe do të zëvendësohet me euron.

Megjithatë, qytetarët do të mund të paguajnë në kuna deri më 15 janar, por duhet të marrin kusur në euro.

Deri në fund të vitit 2023, kartëmonedhat dhe monedhat kuna do të mund të këmbehen me euro në zyrat postare, bankat komerciale dhe degët Fina, dhe më pas nga viti 2024 vetëm në Bankën Kombëtare Kroate.

Të ngjashme