Pos luftimit të COVID-19, kroatët kanë mësuar vitin e kaluar se si natyra mund të shfaqë fytyrën e saj brutale, pasi dy tërmete shkatërruese i lanë ata duke luftuar për të rindërtuar shtëpitë e tyre dhe po ashtu të jetojnë në frikë nga tronditje tjera, shkruan agjencia Reuters.
Në mars, një person humbi jetën kur një tërmet 5.3 ballë Rihter tronditi Zagrebin. Shtatë persona humbën jetën në fund të dhjetorit kur një tërmet 6.4 ballë Rihter tronditi Kroacinë, ndërsa epiqendra ishte rreth 50 kilometra në juglindje të kryeqytetit, Zagrebit.
Tërmetet shkaktuan dëme të mëdha materiale që ende po vlerësohen. Kroatët po adaptohen me tërmetet e tjera që i kanë pasuar atij të fundit të dhjetorit dhe po përballen me probleme të mëdha financiare për të rindrëtuar shtëpitë e tyre.
Dragica Vratariq ende nuk kishte arritur ta riparonte plotësisht apartamentin e saj në qendër të Zagrebit që u dëmtua nga tërmeti i parë, kur goditi më pas tërmeti i dytë. Ajo është në një situatë edhe më të dëshpëruar.
Autoritetet kanë premtuar ndihmë, por procedurat komplekse byrokratike për të siguruar financim për të riparuar çatinë dhe oxhakun e kanë lënë atë pa furnizim me gaz, nxemje dhe ujë të nxehtë për gati një vit. Moti i ftohët që ka goditur Kroacinë këtë muaj sigurisht se e ka vështirësuar edhe më tej situatën.
“Është shumë stresuese. Ne duhet të participojmë në financim të punëve të riparimit për 20 për qind, por ka shumë dokumente për të nënshkruar për të siguruar fonde. Edhe një tërmet më i vogël mund të shkaktojmë dëme të mëtutjeshme. Nuk mund të presim aq gjatë”, ka thënë Vratariq.
Seizmologët kanë paralajmëruar se do të ketë pastronditje edhe me muaj, një problem kyç është fakti se shumë shtëpi janë tepër të vjetra.
“Duhet të përqëndrohemi të ndërtojmë struktura rezistente ndaj tërmetit, si masë parandaluese. Shumica e qyteteve dhe fshatrave tona kanë ndërtesa që nuk kanë struktura të tilla”, ka deklaruar Kreshimir Kukq, nga instituti seizmologjik i Kroacisë.
Financimi nuk është problemi i vetëm që po e frenon ritmin e ndërtimit. Varfëria relative krahasuar me shumicën e shteteve tjera të Bashkimit Evropian dhe mungesa e njohurisë për çështjet financiare nënkuptojnë se shumë ndërtesa nuk janë të siguruara ndaj dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.
Rreth 90 për qind jetojnë në prona të veta, por më pak se 25 për qind kanë paguar sigurim ndaj tërmetit.
“Kërkesat për një sigurim të tillë janë rritur pas tërmetit të marsit, por jo në nivelin që pritej”, ka thënë Lukas Oliver Paviq nga Allianz, një kompani lidere e sigurimeve në Kroaci.