Kronologjia e sulmeve të përgjakshme në Britani të Madhe

Prishtinë | 30 Nën 2019 | 10:30 | Nga Ekonomia Online

Të premten, policia britanike e vrau një sulmues që i theri për vdekje dy persona dhe i plagosi disa të tjerë në atë që besohet se ishte sulm terrorist në Urën e Londrës. Megjithatë, ky nuk është sulmi i vetëm i këtij lloji me të cilin është përballur Mbretëria e Bashkuara viteve të fundit. Më poshtë po i përshkruajmë disa nga sulmet që kanë ndodhur në vendin ishullor në dy dekadat e fundit.

Më 19 qershor 2017, një burrë britanik i goditi qëllimisht me veturë disa besimtarë myslimanë pranë një xhamie në Londër, duke lënë një të vdekur dhe disa të lënduar. Burri i dënuar për vrasje kishte thënë në gjykatë se është munduar që të mbytë sa më shumë njerëz.

Më 3 qershor 2017, tre persona i goditën me një furgon disa këmbësorë në Urën e Londrës, ndërsa më pas i therën me thikë njerëzit që gjendeshin në kafene, duke i vrarë tetë persona dhe duke i plagosur së paku 48 të tjerë. Përgjegjësinë për këtë sulm e kishte marrë i ashtuquajturi Shtet Islamik.

Më 22 maj 2017, një sulmues vetëvrasës i vrau 22 fëmijë dhe të rritur dhe i plagosi 59 të tjerë në një sallë koncertesh në Mançester. Në këtë koncert po këndonte solistja amerikane, Ariana Grande.

Më 22 mars 2017, një sulmues e theri një polic afër ndërtesës së kuvendit britanik në Londër pasi një veturë i goditi disa këmbësorë. Gjashtë njerëz u vranë në këtë sulm dhe 20 të tjerë u lënduan.

Më 16 qershor 2016, një burrë i armatosur me pushkë dhe thikë të gjatë e qëlloi dhe e theri disa herë avokaten Jo Cox në pjesën veriore të Anglisë. Ky sulm e kishte tronditur Britaninë dhe kishte ndodhur vetëm një javë para mbajtjes së referendumit për Brexit-in.

Më 22 maj 2013, dy sulmues e goditën një ushtar britanik përderisa po e kalonte rrugën në pjesën juglindore të Londrës, para se ta vrisnin me thika për copëtimin e mishit.

Më 7 korrik 2005, katër myslimanë britanikë i aktivizuan bombat që i kishin prodhuar vetë e të cilat i kishin fshehur në çanta. Shpërthimet ndodhën në tre trena nëntokësorë, me ç’rast u vranë 52 persona dhe rreth 700 të tjerë u plagosën, shkruan “Reuters”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme