Më të dhënë njoftimin për reduktime me furnizim të ujit të pijes nga ana e KRU “GJAKOVA”, qytetarë të Rahovecit i janë drejtuar redaksisë sonë me ankesa se janë duke u diskriminuar nga kjo kompani.
Kjo meqë në njoftim bëhet e ditur se reduktimet përfshijnë qytetin e Rahovecit dhe fshatin Potoqan, ndërsa në komunë të Gjakovës nga reduktimet preken fshatrat Gërqinë, Demjan, Cermjan dhe Hereqë, por jo edhe qyteti i Gjakovës.
“Pse nuk përfshihet edhe qyteti i Gjakovës në reduktime, ashtu si dinë ta përfshijnë Rahovecin? Deri kur kështu të trajtohemi nga kjo kompani si qytetarë të dorës së dytë?”, thotë njëri prej ankuesve.
Ndryshe, me anë të një postimi në Facebook, kjo kompani bëri të ditur se për shkak të shpenzimit enorm të ujit të pijes në këtë periudhë, pikat më të larta të konsumatorëve nuk arrijnë të kenë furnizim me ujë dhe se me qëllim të sigurimit të ujit edhe për këto pika, janë të detyruar të aplikojnë reduktime të furnizimit.
“Me qëllim që rezervuarët të akumulojnë gjatë natës dhe ditën të kemi furnizim të mjaftueshëm, uji do të reduktohet çdo mbrëmje nga ora 22:00 deri në ora 6:00 të mëngjesit. Kjo gjendje do të vazhdojë deri në përmirësim të situatës me furnizim”, thuhet tutje në njoftim të KRU “GJAKOVA” në Facebook.