Kryediplomati shqiptar: Dialogu Kosovë-Serbi të ngrihet në nivelin e një konference

Prishtinë | 06 Tet 2023 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ka thënë se formati i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë duhet të ngrihet në nivelin e një konference me planin franko-gjerman si udhërrëfyes në tryezën e bisedimeve.

Në konferencën e mbajtur pas Samitit të Ministrave të Jashtëm të premten në Tiranë, Hasani ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse që mundëson njohjen reciproke.

“Ne kemi deklaruar dhe kemi kërkuar disa herë publikisht dhe zyrtarisht në instancat më të larta të komunitetit euroatlantik se formati i këtij dialogu të normalizimit duhet ngritur në nivelin e një konference normalizimi me planin franko-gjerman si udhërrëfyes në tryezën e bisedimeve. Palët duhet të punojnë me guxim për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, të mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-ja, e cila do të mundësojë njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara si dhe trajtimin e drejtë të pakicave, bazuar gjithmonë në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë ai.

Hasani më tej ka deklaruar se Shqipëria pret që Serbia të nisë një hetim serioz “për grupin kriminal terrorist potencialisht të përfshirë në një konflikt të armatosur në veri të Kosovës”.

Në këtë konferencë të përbashkët me homologen e tij nga Gjermania, Annalena Baerbock dhe Komisionerin Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ky i fundit ka thënë se Procesi i Berlinit ka qenë dhe vazhdon të jetë platforma më e besueshme, me anë të të të cilit tregohet angazhimi për rajonin.

“Natyrisht që ne duam që të ndihmojmë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor që me anën e këtij plani të përshpejtojnë edhe programet e tyre ekonomike që kanë në mënyrë që të shohim më shumë rezultate të prekshme në terren, duke treguar rezultate për qytetarët, bizneset sa u përket reformave që kanë të bëjnë me integrimin evropian. Në mënyrë që të ndodhë kjo, ne nga ana jonë jemi të gatshëm që të bëjmë më shumë, jo vetëm me ekspertizën teknike por edhe të sjellim më shumë investime”, ka thënë ai.

Të ngjashme