Debati shkencor për demarkacionin që do të mbahet nesër në ambientet e Kuvendit të Kosovës do të zgjasë më shumë se sa është planifikuar. Megjithëse palëve kryesore në këtë rast Komisionit Qeveritar dhe kërkuesit të debatit i është dhënë nga një orë kohë për argumentet e tyre, do të ketë edhe mysafirë e ekspertë tjerë që do të flasin po ashtu për këtë çështje.
RTV Dukagjini merr vesh që në tavolinë të ulur nesër do të jenë më shumë se 110 persona dhe nëse gjithë nga ta flasin të paktën nga 5 minuta, bënë që ky diskutim që fillon në orën 10:00 të zgjasë tërë ditën.
Sipas këtyre burimeve, fjalën hyrëse do ta bëjë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ndërsa menjëherë pas tij për demarkacionin do të flasë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie.
Pas tyre do të flasin përfaqësuesit e komisionit dhe ata që kërkuan debatin, e të cilët do të japin argumentet e tyre.
Burime e RTV Dukagjinit më tej kanë shpjeguar se kryeministri Isa Mustafa nuk do të jetë fare pjesë e takimit, megjithëse ai kohëve të fundit ishte mjaft aktiv në Facebook. Përveç tij, në debat nuk do të ketë as përfaqësues nga Zyra e presidentit, por as nga Ministria e Punëve të Jashtme që ka qenë sponsorizuese e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, dokument ky që është dërguar në Qeveri e që pret miratimin e ekzekutivit për tu dërguar më pas në Kuvend.
Të njëjta burime kanë shpjeguar se kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje që të ketë më shumë ekspert të saj në debat, fillimisht ishte refuzuar por më pas kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e kishte aprovuar atë dhe nesër do të jetë në tryezë gjithë emrat e propozuar nga ky subjekt politik.
Debati për demarkacionin ishte iniciuar nga deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi. Ky i fundit kishte mbledh nënshkrimet e më shumë se 20 deputetëve, ndërsa më pas Kryesia kishte caktuar datën 3 gusht si kohë për mbajtjen e debatit.
Pavarësisht kësaj, kryeministri Isa Mustafa insiston që këtë çështje ta dërgoi në Kuvend, dhe gjasat janë të mëdha që demarkacioni të hyj për votim para datës 17 gusht, atëherë kur në Kosovë pritet të qëndroj zëvendëspresidenti amerikan, Joe Bajden.