Kryeministri Hoti s’duhet ta relativizojë shëtitjen si në bahçe të babës nga xhandarmëria serbe

Prishtinë | 09 Gus 2020 | 13:08 | Nga Faton Abdullahu

Shqetësimi im më i madh për hyrjen e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës është se po thuhet, nuk ka nevojë të shqetësohemi.

Në këtë relativizim po insiston Kryeministri Hoti. Duke u munduar ta paraqet këtë si diçka jo shqetësuese për sigurinë tonë, ai dëshiron ta amortizojë kritikën ndaj tij se në këtë drejtim Qeveria nuk po bën asgjë.

Ky parakalim, si në bahçe të babës, i xhandarmerisë serbe në Kosovë është dashur të kritikohet ashpër, shumë ashpër nga Kryeministri Hoti. Po ashtu është dashur të kritikohet përpjekja për mos ta bërë këtë punë të madhe, se kjo na qenka rutinë që bëhet në bashkëpunim me KFOR-in.

Të kuptohemi, kjo është serioze, ka mundur të ketë incidente të qytetarëve me xhandarët serbë, mandej kjo ka mundur të përkeqësohet dhe të nxitet pasiguria dhe shpërngulja e qytetarëve dhe biznesit atje.

Për më shumë ky reagim i munguar i Hotit është dashur të ndërlidhet me armatimin e vazhdueshëm që po e bën Serbia kohëve të fundit.

Kurse Kryeministri Hoti në këtë rrethanë e gjeti me kritiku Ramush Haradinajn pse ishte në Karaqevë dhe këtë e bëri cok për inati, sepse partneri i tij, z. Haradinaj, ja ka shtru zullumin e po e kritikon për dialogun me Serbinë.

Fundja z. Haradinaj mund ta kritikosh për shumë gjëra, po jo kur ju del xhandarëve serb përpara

Mirëpo zoti Hoti gaboi edhe me këtë heshtje të pajustifikueshme dhe relativizim impotent sepse të keqen e krejt kësaj nuk po e sheh ashtu si është, por ashtu si ka dëshirë të jetë.
.

Të ngjashme