Kryeministri i Tajlandës shpall fundin e regjimit ushtarak

Prishtinë | 15 Kor 2019 | 15:25 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri tajlandez, Prayuth Chan-ocha, dha zyrtarisht dorëheqje nga pozita e udhëheqësit të qeverisë ushtarake të hënën, duke thënë se shteti tash e tutje do të funksionojë si një demokraci normale pas pesë vjetësh të pushtetit ushtarak.

Megjithatë, ai do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet në postin e kryeministrit me mbështetjen e partive përkrahëse të ushtrisë dhe me kuvendin e zgjedhur nga ushtria. Sipas analistëve, kushtetuta e tanishme e dëmton demokracinë, sepse e ruan rolin politik të ushtrisë.

Prayth gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion tha se pushteti ushtarak i ka sjellë suksese Tajlandës në shumë fusha, duke nisur nga zgjidhja e problemeve të peshkimit ilegal dhe trafikimit të njerëzve, deri te shpëtimi i 12 djemve futbollistë dhe trajnerit të tyre në një shpellë të përfshirë nga vërshimet vitin e kaluar.

Ish-komandanti i ushtrisë, i cili kishte ardhur në pushtet në vitin 2014 përmes puçit, tha se intervenimi i ushtrisë në atë kohë ishte i nevojshëm për ta kthyer rendin pas gjashtë muajve me protesta dhe përleshje të dhunshme, por që gjërat iu kthyen rrjedhës normale pas zgjedhjeve të 24 marsit.

Ai tha: “Tajlanda tash është një vend plotësisht demokratik me monarki kushtetuese dhe me parlament me deputetët të zgjedhur. Të gjitha problemet do të trajtohen duke u bazuar në një sistem demokratik dhe pa përdorur fuqi të veçanta”, shkruan “Reuters”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme