Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur në takim, raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, raporton Ekonomia Online.
Von Cramon shoqërohej nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje nga takimi, ndërsa rreth temave të diskutuara Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit ka dërguar një komunikatë shtypi.
Sipas njoftimit, situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor përballë zhvillimeve në Ukrainë ishte një ndër temat e diskutimit në takimin e kryeparlamentarit me eurodeputeten.
Konjufca ka shprehur mirënjohje për kontributin e eurodeputetes, duke e cilësuar si zë të fuqishëm në Parlamentin Europian për perspektivën evropiane të Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme të BE-së.
Ai po ashtu theksoi se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara për liberalizimin e vizave, duke kërkuar nga institucionet e BE-së përmbylljen sa më parë të këtij procesi dhe lëvizjen e lirë për qytetarët e vendit tonë.
Në këtë kontekst, Konjufca ka thënë se Republika e Kosovës në vazhdimësi ka dëshmuar rreshtimin përkrah Perëndimit dhe përkushtimin e paluhatshëm ndaj vlerave të përbashkëta euroatlantike. Sipas tij, anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në BE dhe në NATO do t’i shërbente jo vetëm sigurisë rajonale dhe evropiane por edhe asaj globale, e rrezikuar seriozisht nga pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës.
Eurodeputetja von Cramon konfirmoi përkushtimin e saj për ta ndihmuar Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, integrimin në familjen e Bashkimit Evropian dhe në strukturat euroatlantike.
Ajo ka marrë pjesë edhe në seancën e Kuvendit ku po votohet rezoluta që dënon agresionin rus në Ukrainë.