Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, është pritur sot në një takim të posaçëm nga presidentja e Senatit holandez, Ankie Broekers-Knol, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe në rajon, për perspektivën evropiane dhe në mënyrë të veçantë, për mbështetjen e Holandës, në procesin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në takim me homologen në Holandë, kryeparlamentari Veseli ka paraqitur të arriturat e Kosovës, ndërsa ka këtkuar që Halanda të marr qëndrim pozitiv në raport me Kosovën për liberalizimin e vizave, pasi siç tha ai, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme.
Kryeparlamentari Veseli tha se qytetarët e Kosovës e meritojnë lëvizjen e lirë në Zonën Shengen dhe nuk do të shkelin detyrimet që dalin nga lëvizja e lirë.
Duke e falënderuar homologen holandeze për mbështetjen e shtetit të saj ndaj Kosovës në vazhdimësi, kryetari i Kuvendit e njohu atë me përparimet në Kosovë në shumë fusha dhe angazhimet e institucioneve të saj për reforma që stimulojnë veçanërisht zhvillimin ekonomik.
“Përpjekja ime tanimë është shumë e qartë. Qytetarët e Kosovës meritojnë liberalizimin e vizave. Pasi që kemi përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara, duam që kah fundi i këtij viti qytetarët tanë të kenë mundësi të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen. Vizitat nëpër vende të BE-së, sikurse kjo e tanishmja në Holandë, kanë të bëjnë me përpjekjet tona për t’i bindur instancat më të larta shtetërore të këtyre vendeve që të ushtrojnë ndikimin e tyre pozitiv për liberalizimin e vizave. Holanda është një nga mbështetëset kryesore të vendit tonë, e cila e ka njohur pavarësinë që në fillim dhe tani është investuese permanente në shtetndërtimin dhe progresin në Kosovë”, tha kryeparlamentari Veseli.
Kryesenatorja holandeze, Ankie Broekers-Knol, tha se në Senatin e Holandës Kosova gëzon përkrahje nga çdo përbërje e tij, ndërsa konfirmoi mbështetjen për procesin e integrimeve evropiane të Kosovës.
Bashkëbiseduesit u dakorduan për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve ndërparlamentare, ekonomike dhe diplomatike me interes të të dyja vendeve.