Kryeshefja e Telekomit: Kërkojmë të parandalohet skema kriminale që ka për qëllim grabitjen e mbi 5.7 milionë eurove

Prishtinë | 19 Shk 2024 | 16:04 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeshefja e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka njoftuar se e kanë pranuar aktvendimin e Gjykatës Komerciale, Dhoma e Shkallës së Parë, që lidhet me kontestin e dalë nga Vendimi i Arbitrazhit i vitit 2016 i zhvilluar ndërmjet Telekomit dhe kompanisë Dardafon/Zmobile, nga i cili vendim ndërmarrja publike mund të humbas 5.7 milionë euro.

Hana ka thënë se ky Aktvendim, përveç që është i jashtëligjshëm, ka dhe elemente të qarta kriminale dhe nëse zbatohet do t’i bëhet një dëm i pariparueshëm Telekomit të Kosovës (TK), raporton Ekonomia Online.

Ajo ka thënë se TK është dëmtuar qindra miliona euro nga kontrata me Dardafon, porse “nuk do të lejojmë që ky dëmtim të vazhdojë përmes proceseve gjyqësore nga gjykatës të caktuar brenda sistemit të drejtësisë”.

“Gjatë kohë që Telekomi i Kosovës po e priste ftesën për mbajtjen e seancës përgatitore dhe për zgjedhjen e institucionit që do ta bënte ekspertizën financiare, sipas direktivave të Dhomave të Shkallës së Dytë, siç kërkohet nga neni 199 i LPK-së, me datën 16.02.2024, e pranuam Aktvendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale, i marrë në të njëjtën ditë dhe në mënyrë tërësisht abuzive nga gjyqtari i çështjes, pa u mbajtur asnjë seancë ku palët do të mund t’i paraqitnin pretendimet dhe provat e tyre dhe pa e caktuar fare ekspertizën financiare siç kërkohet në Vendimin e Shkallës së Dytë”.

“Nëpërmjet këtij aktvendimi, lihet në fuqi urdhri përmbarimor, i lëshuar në vitin 2019, i cili e hap rrugën për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit dhe grabitjen e shumës prej mbi 5.7 milionë € të tjera. Në ndërkohë, me të gjitha provat dhe faktet e paraqitura në Gjykatë, është vërtetuar se Telekomi i Kosovës e ka paguar shumën prej mbi 40 milionë € në emër të vendimit të Arbitrazhit, ndonëse obligimi ishte për rreth 27 milionë €. Kështu, deri tani TK, në mënyrë të dhunshme, është detyruar të paguajë mbi 13 milionë € më tepër. Sipas aktvendimit në fjalë, plaçkitja e shumës prej 5.7 milionë € rezulton të jetë një pagesë e tepërt, mbi 19 milionë € më e lartë se shuma e obliguar sipas Vendimit të Arbitrazhit”.

“Ndonëse ndaj këtij aktvendimi mund të bëhet ankesë në Shkallën e Dytë të Gjykatës, kjo nuk mund ta ndalë ekzekutimin e tij. Kësisoj shkaktohet një dëm i pariparueshëm. Ekzekutimi i këtij aktvendimi nënkupton që paratë nga llogaritë bankare të Telekomit të kalojnë në llogaritë bankare të Dardafon”.

“Dihet publikisht fakti se kompania Dardafon është e regjistruar si biznes SHPK dhe nuk operon që nga viti 2019. Kjo kompani nuk ka asnjë pronë të luajtshme e as të paluajtshme, gjë që mund të vërtetohet lehtë nëpërmjet verifikimit të llogarive të saj bankare, deklarimeve të saj në ATK dhe në regjistrin e pronave (kadastër). Prandaj dhe dëmi është i pariparueshëm”.

“Paratë e Telekomit, që do të derdhen në llogaritë bankare të Dardafon, mund të transferohen menjëherë jashtë vendit. Gjyqtari i rastit në vendimin e tij përpiqet të manipulojë me qëndrimin e Telekomit të Kosovës se kinse Telekomi po e mohon lartësinë e detyrimit të vendimit të arbitrazhit. Kjo s’është aspak e vërtetë dhe mund të vërtetohet në të gjitha shkresat e lëndës. E vërteta është se Telekomi jo vetëm që e ka njohur lartësinë e obligimit të dalë nga aribtrazhi, por edhe ka paguar mbi 13 milionë € më tepër. Për këtë mbipagesë Shkalla e Dytë me të drejtë ka kërkuar që të bëhet ekspertizë financiare nga ndonjë kompani e licencuar e auditimit. Prandaj themi se vetëm ekspertiza financiare e vendos drejtësinë në këtë çështje”, ka thënë ajo.

Ajo tha se për ta parandaluar këtë skemë, Telekomi menjëherë ka marrë veprime në kuadër të mundësive që ka në dispozicion.

“Telekomi i Kosovës kërkon nga të gjitha institucionet relevante që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për ta parandaluar këtë skemë kriminale që për qëllim ka grabitjen e mbi 5.7 milionë € nga paratë publike që u takojnë qytetarëve dhe shtetit të Kosovës e jo grupeve kriminale”, ka thënë ajo.

Të ngjashme