Të mërkurën kanë hyrë në grevë 250 punëtorë teknikë dhe të sigurimit fizik të Universitetit te Prishtinës dhe të Qendrës Studentore për shkak të pagave të ulëta.
Pakënaqësi me paga po kanë edhe mësimdhënësit.
Ata nuk po pajtohen me Ligjin e Pagave dhe me vlerën e koeficientit.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë të mërkurën për Front Online se tashmë ka filluar edhe një siç e ka quajtur ai grevë e “heshtur”, tek mësimdhënësit.
E, një grevë e tillë ka filluar edhe në Administratën Publike.
Këtë e ka thënë për Front Online, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi.
“Edhe unë mund ta them që jo vetëm që ka, ose më mirë të them ka filluar një lloj greve e “heshtur” në gjithë sektorin publik. Më besoni që ka një ikje shqetësuese, dhe pos ikjes edhe mosinteresim të punësohen në sektorin publik, konkretisht në administratë publike. Kjo ikje është në gjithë sektorët dhe në një farë forme është ikje e trurit që shtetet e tjera investojnë për ta krijuar një kuadër të tillë, kurse ne në një farë forme i detyrojmë që ata të gjejnë zgjidhje tjera, alternativa të tjera”, ka deklaruar Gashi, për Front Online.
Ali Gashi: Ka zyrtarë publik që për shkak të pagës ka lëshuar vendin e punës pas 20 vjetëve
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi tha për Front Online se ka zyrtarë që ka punuar për 20 vjet në sektorin publik, por për shkak të pagës ka qenë i detyruar ta lëshoj vendin.
Kjo, ikje që po ndodhë sipas Gashit duhet të jetë shqetësuese për Qeverinë e Kosovës.
Por, thotë se siç duket kjo e fundit i ka mbyllur sytë qëllimisht.
“Kemi ikje të jashtëzakonshme dhe ky është shqetësim edhe për ne si shoqëri por edhe me theks të veçantë do të duhej të ishte shqetësim i madh edhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës, por unë kam krijuar një bindje që Qeveria i mbyll sytë qëllimisht dhe nuk bën ndonjë strategji që të gjej një zgjidhje që thjesht t’i ndalojë dhe qytetarët të mos ikin. Kjo unë konsideroj vjen si rezultat i kushteve të rënda dhe kushteve të këqija në punë, por me theks të veçantë janë pagat ato të cilat janë duke i detyruar këta zyrtarë . Ka zyrtar ndoshta që punon që 20 vite dhe ka qenë i detyruar që ta lëshoj vendin e punës për një perspektivë dhe të ardhme më të mirë”, është shprehur ai.
Gashi i Administratës Publike: Me pagë 550 s’mund të mbahet familja, kjo është ndihmë sociale
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi, po thotë që Qeveria nuk po interesohet për sektorin publik.
Me një pagë prej 550 euro, ai thotë se një familje nuk mund t’ia del.
“Por, siç duket Qeveria nuk është e interesuar për sektorin publik. Qeveria është e interesuar më shumë me nda mjete si formë subvencionesh apo ndihmash shkel e shko, por jo të mendoj më afat gjatë për trajtimin e qytetarëve në radhë të parë e pastaj për sektorin publik që të kenë paga të dinjitetshme. Me një pagë 550 euro nuk e di sa mund t’ia del një familje ose më mirë të them kjo është një ndihmë sociale”, ka deklaruar Gashi për Front Online.
Kryetari Gashi, ka pohuar se kanë qenë kritik gjithmonë sa i përket mënyrës së trajtimit të Ligjit të Pagave nga ana e Qeverisë, duke marrë parasysh rritjen e çmimeve.
Sipas tij, me këto paga që kanë familjet nuk mund ta mbulojnë as dhjetë ditëshin e parë të muajit.
Ndërsa, tregon se dhe interesimi për t’u punësuar në sektorin publik ka rënë.
“Edhe interesimi për t’u punësuar në sektorin publik ka rënë. Është e vështirë të gjesh inxhinier të profileve si arkitekt, elektro, IT të cilët thjesht e gjejnë interesin e vet për t’u punësuar në sektorin publik me këto paga. Është absurde ta mendosh që këto profile të punojnë me paga 500 apo 600 euro. Njeriu punon me një pagë të dinjitetshme që të arrij ta krijojë një bazë ekonomike për vete dhe për familjen. Kjo gjendje, këto paga janë thjesht sociale që nuk të len vetëm sa mos me vdekë urie”, ka thënë ai.
Ndryshe, punëtorët e sektorit publik nga muaji janar i këtij viti kanë marrë pagat me rritje pasi vlera e koeficientit është rritur për 5 euro.
Nga 105 sa ka qenë vitin e kaluar, këtë vit është 110 euro.