Kryesuesi i KPK-së takon shefin e EULEX-it: Sistemi prokurorial të qëndrojë i pacenuar nga ndërhyrjet politike

Prishtinë | 18 Tet 2023 | 15:27 | Nga Ekonomia Online

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka zhvilluar një takim me shefin e EULEX-it në Kosovë, Giovanni Barbano.

Maloku ka falënderuar shefin e EULEX-it, Barbano, për vizitën e tij në Këshillin Prokurorial dhe e përgëzoi për mandatin e tij, duke shtuar se sistemi prokurorial është i përkushtuar për koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me këtë mision për të garantuar fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë, bazuar në praktikat dhe standardet më të mira të BE-së.

Ndërsa, shefi i EULEX-it ka shprehur falënderimin e tij për pritjen e bërë dhe gatishmërinë e misionit që udhëheq për të ofruar edhe më tutje mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme për sistemin prokurorial, në mënyrë që të ketë angazhim të përbashkët për avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

“Po ashtu, gjatë takimit të sotëm, është diskutuar që sistemi prokurorial i Kosovës duhet të qëndrojë i pacenuar ndaj çfarëdolloj ndërhyrjeje politike dhe ndaj çfarëdolloj ndërhyrjeje tjetër qoftë brenda apo jashtë sistemit prokurorial, në mënyrë që të realizojë si duhet misionin e tij të pavarur, të paanshëm dhe transparent në të gjitha angazhimet e tij dhe në përputhje me mandatin ligjor dhe kushtetues.”

Të dy palët u pajtuan që të ecet më tutje në rrugën përpara dhe të ketë angazhim të shtuar për tejkalimin e sfidave për realizmin e misioneve të përcaktuara për rritjen e objektivave që ndikojnë në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Të ngjashme