Reduktimet e ashpra me energji elektrike ditëve të fundit i kanë çuar në këmbë kryetarët e disa komunave në Kosovë. Gjatë tërë ditës së martë komuna e Deçanit është përballur me ndërprerje të energjisë elektrike. Kryetari i kësaj Komune, Bashkim Ramosaj, ka treguar për gazetën “Zëri” se ka pasur raste kur komuna e tij me fshatrat përreth kanë mbetur deri në tridhjetë orë pa energji elektrike, shkruan sot Gazeta Zëri.
Komuna e Deçanit po përballet me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike si pasojë e tensionit të lartë të rrymës, që është punuar keq nga ana e Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).
Të paktën kështu është shprehur kryetari i kësaj Komune Bashkim Ramosaj në një prononcim për gazetën “Zëri”.
“Tek ne nuk bëhet fjalë për reduktime, por disa përsëritje të shpeshta, po flasim për tensionin e lartë që është punuar keq nga ana e KEDS-it dhe tash mbingarkesa që po krijohet në sezonin e dimrit kemi pëlcitje të këtyre kabllove që janë nëntokësore dhe po është procedurë e vështirë derisa po rehabilitohet. Kemi pasur rastin të mbesim deri në 40 orë pa rrymë, disa ditë përpara 30 e disa orë pa rrymë. Sot ka vazhduar gjatë tërë ditës, herë është lëshuar e herë është ndalur. Janë duke u munduar të bëjnë përmirësime”, ka treguar Ramosaj.