Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, ka reaguar pas tragjedisë së rëndë që ndodhi në lagjen “Mirdita”, ku humbën jetën një burrë dhe dy fëmijët e tij.
Përmes një reagimi publik, Kastrati ka shprehur pikëllimin e thellë për humbjen e jetëve, duke e cilësuar këtë ngjarje si një dhimbje të madhe për të gjithë komunitetin.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për tragjedinë e rëndë që ndodhi në lagjen Mirdita në Malishevë, ku humbën jetën Ilir Berisha dhe dy fëmijët e tij, vajza Naile dhe djali Kujtimi. Kjo është një humbje e madhe dhe një dhimbje e papërshkrueshme për familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin tonë”, ka deklaruar ai.
Ai ka theksuar se në emër të Komunës së Malishevës dhe në emrin e tij personal, shpreh solidaritet dhe mbështetje për familjen në këto momente të rënda.
“Institucionet përkatëse janë duke u marrë me rastin dhe presim që shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë të zbardhen sa më shpejt”, ka shtuar Kastrati.
Në fund, kryetari ka shprehur ngushëllime për familjen Berisha, të afërmit dhe gjithë qytetarët që janë prekur nga kjo tragjedi.
“Ngushëllime familjes Berisha dhe të afërmve, si dhe të gjithë qytetarëve që me dhimbje të madhe e kanë përjetuar këtë fatkeqësi të rëndë”, përfundon reagimi i tij.