Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka paraqitur edhe një herë shqetësimin për dëmtimin e shtratit të lumit Drini i Bardhë, i cili kalon nëpër disa qytete të Kosovës, ndër to edhe Rahoveci.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se ky lum ka dëmtime të rënda, për këtë arsye, sipas tij, në dokumentin me katër kërkesa të paraqitura së fundi, kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i është kërkuar që të realizohet edhe projekti për trajtimin e Drinit të Bardhë.
Latifi shton se një nga mundësitë që të tejkalohet ky problem është që të marrin ndihmë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të mbështeten nga komunat nga kalon ky lum dhe të kenë ndihmë nga institucionet e vendit, e sipas tij Qeveria e Kosovës duhet të japë dritën e gjelbër për këtë.
“Mendoj që ne kemi obligimet tona si komunë, edhe pse nuk jemi direkt përgjegjës, ndërsa Qeveria e Kosovës më në fund duhet të japë dritën e gjelbër, mbështetjes së fuqishme të një projekti strategjik që është i rëndësishëm, jetik për komunën tonë”.
“Ne kemi dërguar edhe një projekt ideor në BERZH dhe kostoja e këtij projekti është shumë e lartë, por efektet që i prodhon realizimi i këtij projekti janë të shumta, janë shumëdimensionale dhe ne kemi kërkuar dhe po kërkojmë trajtimin e këtij projekti me rëndësi strategjike jo vetëm për komunën tonë”.
“Projekti ynë ideor është dërguar edhe në Samitin e Londrës, ku ka qenë konferenca e donatorëve, është prezantuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Haradinaj”.
“Përkrahje parimore kemi marrë nga Qeveria e Kosovës dhe tash Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Rahovecit dhe komunat kah kalon Drini i Bardhë, duhet ta rrisin presionin, ta rrisin përkushtimin që të gjinden edhe fondet ose rrugët për me ardhur deri tek implementimi faktik i projektit. Përndryshe Komuna nuk ka si t’ia nisë kësaj pune, për shkak se nuk ka fonde, për shkak se kapin fonde dhjetëra milionëshe”.
Sipas tij, duhet më shumë se një dekadë të kalojë, që Drini i Bardhë të kthehet në rrjedhën e vet natyrore, qoftë edhe nëse nuk eksploatohet.
Ndërsa, tri kërkesat e tjera strategjike, të detyrueshme për tu realizuar sipas Latifit, përfshijnë ujërat e zeza, zgjerimin e sistemit të ujitjes dhe trajtimin ligjor me status të veçantë të Rahovecit në bujqësi.
“Është trajtimi i ujërave të zeza, gjegjësisht kolektori i ujërave të zeza. Është një projekt 10 milionë euro, përafërsisht, është projekt strategjik për trajtimin e ujërave të zeza nëpërmjet ndërtimit të një kolektori të ujërave të zeza që ne kemi kërkuar me insistim që të futet në listën e projekteve dhe të merret përsipër përkrahja për projektin apo për ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza”.
“Projekt tjetër që ne kemi kërkuar mbështetje është zgjerimi i sistemit të ujitjes në pjesët ku nuk kemi sistem të ujitjes. Ju e dini që pjesa e rrafshit është nën sistem të ujitjes në masë të madhe nga ujëmbledhësi i Radoniqit, ndërsa pjesa kodrinore e cila po ashtu është shumë tokë e mirë, tokë e punueshme, e plleshme, dhe ka vreshta, ka kultura të tjera pemëtore e perimtare, ka nevojë të përfshihet në sistem të ujitjes, madje në sistemin e ujitjes ‘pikë pikë’ sepse dyfishohet rendimenti dhe dyfishohen edhe mundësitë për të pasur një zhvillim më të mirë dhe më intenziv të gjithë kësaj treve që është kryesisht trevë bujqësore”.
“Projekt tjetër, është trajtimi ligjor me status të veçantë i Komunës së Rahovecit dhe rrethinës në bujqësi. Rahoveci meriton të kthehet në zonë strategjike të rëndësisë së veçantë për bujqësi duke përfshirë këtë synim edhe duke e sanksionuar edhe me ligj.
Për shkak se edhe kjo komunë këtë vit ka pësuar dëmtime të mëdha nga breshëri, reshjet dhe vërshimet, Kuvendi ka aprovuar propozimin oër buxhetin, prej të cilit 1 milionë e 28 mijë euro do të shkojnë për bujqësi.
Sipas, kryetarit Latifi, kjo shumë është e vogël, megjithëse, pohon se është hera e parë që ndahet një shumë e tillë e madhe për vitin 2019.
“Nga viti i ardhshëm, buxheti për bujqësi do të shkojë një pjesë tek kanalet e kullimit të tokave bujqësore, drenazhimi i tokave bujqësore, një pjesë do të shkojë tek organizatat e fermerëve, te fermerët direkt qoftë në formë të inputeve bujqësore, mekanizmit bujqësor, farëra, plehra kimikë, serra, pastaj për blegtori do të shkohet në stalla të vogla, ferma të vogla, tek vreshtaria po ashtu do të shkohet te, janë disa paisje për shtrydhjen e rrushit etj.
Ndërsa ka njoftuar se do të ketë edhe dëmshpërblime për fermerët e dëmtuar.
“Sa do të jetë dëmshpërblimi e di Qeveria dhe Ministria e Financave. Për herë të parë Qeveria e Kosovës ka nxjerrë një vendim që t’i dëmshpërblej fermerët e dëmtuar”.
Kurse, është shprehur se përballet ende me barrën financiare të trashëguar nga vitet e kaluara, barrë të cilën ai shpreson se do t’i vijë në përkrahje Qeveria e Kosovës.
“Në bazë të këtij trendi, nëse ne deri në fund të vitit, deri më 31 dhjetor, nëse me këtë situatë, me këtë gjendje buxhetore që e kemi, ne mund të kemi diku rreth 3 milionë e 170 mijë euro borxhe. Po shpresojmë se Qeveria e Kosovës nuk e ka harru komunën e Rahovecit dhe do t’i dalë në përkrahje Rahovecit por edhe komunave të tjera”.