Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka priti në takim Kryesuesen e Vëzhguesve të Misionit Vëzhgues te Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, Viola von Cramon – Taubadel, transmeton Ekonomia Online.
Anëtarja e Parlamentit Evropian shoqërohej edhe nga Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, ambasadorja Nataliya Apostolova.
Kryetarja Daka i uroi mirëseardhje në Kosovë vëzhguesve nga Bashkimi Evropian dhe i informoi lidhur me ecurinë e përgatitjeve që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke i zhvilluar për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 6 tetor 2019.
Po ashtu, kryetarja Daka u shpreh se për KQZ-në vëzhgimi i zgjedhjeve ështëi domosdoshëm dhe i rëndësisë së veçantë, pasi në këtë mënyrë rritet besueshmëria në procesin zgjedhor dhe se gjetjet e vëzhguesve i ndihmojnë KQZ-së në adresimin e çështjeve të caktuara.
Nga ana e saj, Shefja e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Viola von Cramon – Taubadel tha se ky mision do të vëzhgojë procesin zgjedhor në Kosovë, para, gjatë dhe gjithashtu pas zgjedhjeve.
Më 3 shtator 2019 ështëënshkruar Marrëveshja Administrative mes Zyrës së BE-së në Kosovë, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019.