KShC-ja mbyll 3 universitete publike dhe 4 kolegje

Prishtinë | 15 Kor 2019 | 17:14 | Nga Ekonomia Online

Universiteti i Mitrovicës, Pejës dhe Prizrenit nuk do të mund të pranojnë më studentë. Gjithë kjo për faktin se Këshilli Shtetëror i Cilësisë sot ka marrë vendim për mbylljen e këtyre tri universiteteve publike. Vendimi është marrë pas rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtar.

Vendimin për mbylljen e tyre e ka konfirmuar edhe një anëtar i KSHC’së për Gazetën Express.

“Po, janë mbyllur me vendim te tri këto universitete – Mitrovica, Peja dhe Prizreni – ashtu siç kanë rekomanduar ekspertët ndërkombëtar. Shpejt do të dalim me njoftim publik”, ka thënë një anëtar i KSHC që s’ka dashur t’i përmendet emri.

Pos Universiteteve Publike, Këshilli Shtetëror i Cilësisë, vendosi edhe për kolegjet private mbi rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtar, të cilët vlerësuar nëse institucionet e arsimit të lartë privat duhet të kenë akreditim institucional për këtë vit akademik.

Me gjashtë vota pro, bordi i KShC-së vendosi që t’ia tërheq akreditimin institucional për vitin akademik 2019-2020 Kolegjit Fama, Kolegjit Iliria, Kolegji Tempulli dhe Kosovo Art Academy.

Ekspertët ndërkombëtar kishin rekomanduar për tërheqjen e akreditimit edhe për këto katër kolegje private.

Me këto vendime, këto kolegje nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik 2019 – 2020, mirëpo studentët që tashmë janë të përfshirë në programe studimore do të vazhdojnë deri në përfundim të tyre.

Ndaj vendimeve të KShC-së kolegjet të cilave u është tërhequr akreditimi për vitin akademik 2019-2020 kanë të drejtën e ankesës në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Në anën tjetër, Kolegji Biznesi dhe Juridica nuk kanë të drejtë të regjistrojnë studentë të ri këtë vit akademik për shkak se nuk i janë nënshtruar vlerësimit institucional nga ana e ekspertëve ndërkombëtar.

Të ngjashme