Kthehen tensionet: Palestinezët lëshojnë balona zjarrvënës, Izraeli përgjigjet me sulme ajrore

Prishtinë | 16 Qer 2021 | 09:05 | Nga Ekonomia Online

Izraeli tha se ka kryer sulme ajrore në Gaza kundër caqeve të militantëve të Hamasit si hakmarrje për balonat zjarrvënës që u lëshuan nga ky territor.

Disa shpërthime u dëgjuan në Gaza në orët e hershme të së mërkurës. Një numër i balonave zjarrvënës u lëshuan nga Gaza drejt Izraelit më herët të martën, duke shkaktuar disa zjarre, tha shërbimi izraelit i zjarrfikësve.

Ky është eskalimi i parë i situatës që nga luftimet 11-ditore, të cilat përfunduan me një marrëveshje armëpushimi mes palëve më 21 maj, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Lëshimi i balonave zjarrvënës dhe sulmet ajrore izraelite erdhën pas një marshi të hebrenjve nacionalistë në Jerusalemin e pushtuar Lindor të martën, që kishte nxitur kërcënime nga Hamasi.

Përmes një deklarate, Forcat Izraelite të Mbrojtjes thanë se aeroplanët e tyre luftarakë kanë goditur objekte ushtarake të Hamasit në Khan Younis dhe Gaza.

Në anën tjetër, një zëdhënës i Hamasit tha përmes një deklarate në rrjete sociale se palestinezët do ta vazhdojnë rezistencën e tyre dhe mbrojtjen e të drejtave e vendeve të shenjta për ta në Jerusalem.

Shërbimi izraelit i zjarrfikësve tha se balonat zjarrvënës që u lëshuan nga Gaza kanë shkaktuar së paku 20 zjarre në fusha në jug të vendit.

Ky është rasti i parë i shkëmbimit të dhunës që nga ardhja në pushtet e qeverisë së re izraelite të dielën. Kryeministri Naftali Bennett i dha fund pushtetit 12-vjeçar të Benjamin Netanyahut.

Të ngjashme