Kujtim Shala kritikon Përparim Ramën: Prishtina nuk fitohet vetëm me programe për qeverisje, duhen edhe ballafaqime

Prishtinë | 08 Tet 2021 | 19:08 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, njëherit edhe deputeti i kësaj partie, Kujtim Shala, ka folur mbrëmë në Debat Plus, rreth fushatës që po e bën kandidati i LDK-së në Prishtinë, Përparim Rama.

I ballafaquar nga analistët në studio, rreth asaj që u quajt “amnisti” që LDK-ja po i bën Lëvizjen Vetëvendosje në lidhje me qeverisjen e Shpend Ahmetit në Prishtinë, Shala e shtjelloi gjatë si temë.

“Lëvizja Vetëvendosje ka marrë një rezultat të lartë në Prishtinë, të shpjegueshëm, të pa shpjegueshëm është çështje tjetër. Dhe ka një kandidat i cili lidhet me pushtetin e LVV-së në Prishtinë. Një kandidat që mua më duket fiktiv, sepse se kam parë në këtë garë, s’kam parë program, s’kam parë asgjë”, tha deputeti i LDK-së.

“Por, Lëvizja Vetëvendosje është përpjekur në vazhdimësi që të diferencohet nga pushteti aktual i kryeqytetit. Gjë që s’mund ta bëjë. Si origjinë është pushtet i LVV-së, sepse njerëzit kanë votuar për një kandidat të LVV-së, dhe kjo është tepër e rëndësishme. Pra, vullneti politik ka përcaktuar që ai person [Shpend Ahmeti] të jetë kryetari i Prishtinë s’i kandidat i LVV-së. Asnjë rendësi nuk ka 6 vjet, 2 vjet, 5 vjet. E kam fjalën për zgjedhjen politike. Të gjitha rezultatet, të gjitha mungesat, në kryeqytetin e Kosovës i përshkruhen atyre që e kanë administruar kryeqytetin”, shtoi ai.

Tutje, Kujtim Shala i LDK-së, përsëriti se sipas tij “nuk ka kurrfarë amnistie” ndaj LVV’së për qeverisjen e Shpend Ahmetit në kryeqytet.

Aty ai pasoi me disa kritika “të lehta” për kandidatin e partisë së tij për Prishtinën, Përparim Rama, shkruan Gazeta Online Reporteri.net. Shtoi se Rama duhet të falsë vetë për këto çështje.

“Kandidati ynë dhe njerëzit tanë në Prishtinë janë përqendruar tek çështjet e tyre që lidhen me programim e tyre, me idetë e tyre, me ato që ata propozojnë për të ardhmen e kryeqytetit. Por, unë e pranoj që perceptimi që ne po e amnistojmë procesin e LVV-së në Prishtinë e dëmton kandidatin dhe LDK-në në Prishtinë. Dhe ne duhet të flasim për këtë çështje, duhet të flet edhe kandidati ynë”, tha ish-nënkryetari i LDK-së, aktualisht anëtar i kryesisë së kësaj partie.

“Po flas unë dhe po them se duhet të flasin edhe të tjerët”, shtoi ai mbrëmë në Debat Plus.

Kujtim Shala potencoi se sipas tij gara për Prishtinë, por as në komunat tjera, nuk fitohet vetëm me programe qeverisëse, por thotë se duhen edhe ballafaqime dhe krahasime me qeverisjet aktuale dhe të kaluara komunale.

“Keni të drejtë, gara në Prishtinë si dhe në komunat e tjera nuk fitohet vetëm me programet për qeverisjen e viteve që do të vinë. Duhen bilance dhe ballafaqime edhe me ato bilance. Madje duhet të krahasohet pushteti i 8 viteve të fundit me pushtetin e LDK-së në Prishtinë. Dhe pastaj njerëzit të evidentojnë dhe të shohin të vërtetat e provueshme se c’farë ka ngjarë në Prishtinë”, tha Kujtim Shala.

Për më shumë ndiqeni videon e emisionit, nga minuta 11:

Të ngjashme