Fjolla Kelmendi, Distria Krasniqi e Nora Gjakova po shkëlqejnë në “Grand Prix Antalya 2018”.
Xhudistet kosovare kanë siguruar finale në kategoritë e tyre respektive, e trajneri i reprezentacionit të xhudos, Driton Kuka, ka reaguar në Facebookun, duke thënë se befasia më e madhe është Fjolla Kelmendi e cila ka siguruar finale në kategorinë deri në 48 kilogramë, duke qenë kjo finalja e parë në karrierën e saj në Kupat Botërore Grand Prix.
“Kosova me tri finaliste në Grand Prix Antalya! Befasia më e madhe Fjolla Kelmendi në kategorinë 48 kg. Finalja e saj e parë në karrieren e saj në Kupat Botërore Grand Prix. Distria Krasniqi ishte e shkëlqyeshme deri në finale ku do ndeshet me garuesen Angleze Chelsie në kategorinë 52 kg. Nora Gjakova me tri fitore u plasua në finale kategoria 57 kg,ku do ndeshet me Koreanen Jandi Kim”, ka shkruar ai.
Kuka e përfundon postimin: “Kosova në Turqi po tregon që jemi shtet se jo mahi!”.
Fjolla Kelmendi në finale do të përballet me Catarina Costa në kategorinë 48 kg, Distria Krasniqi xhudisten nga Britania, Chelsie Giles në kategorinë 52 kg, kurse Nora Gjakova do të luftojë për të Artën në kategorinë 57 kg kundër xhudistes nga Korea e Jugut, Jandi Kim.
Finalet do të fillojnë nga ora 15:00.